Më shumë se gjysma e mësuesve në provimin e shtetit kanë marrë notën 4

Shares

Niveli i mësuesve që do të mësojnë brezin e ri sa vjen e ulet. Këtë e tregojnë rezultatet e atyre që kanë në xhep një diplomë mësuesie, por që nuk arrijnë dot të marrin pikët minimale në provimin për licencën.

Sipas të dhënave që ka siguruar Panorama, në sezonin e shtatë të provimeve të shtetit për mësuesit, më shumë se gjysma e tyre rezultojnë mbetës, duke mos fituar dot të drejtën për ushtrimin e profesionit.

Thënë ndryshe, këta të fundit nuk janë të aftë për të dhënë mësim. Gjithsesi, rregullorja iu jep të drejtën të ritestohen deri në pesë herë. Nëse nuk e fitojnë dot as me mundësinë e fundit, ata shpallen zyrtarisht të paaftë për të kryer profesionin për të cilin kanë studiuar pesë vite.

REZULTATET

Në 25 profesionet e mësuesisë, dhanë provimin e shtetit në sezonin që shkoi 797 kandidatë për mësues, por vetëm 393 prej tyre rezultojnë të suksesshëm. Pjesa tjetër, 404 kandidatë ose 50.7% nuk kanë arritur të marrin dot as 50 pikë për t’u konsideruar kalues.

Për sa i takon pjesëmarrjes, numrin më të madh të kandidatëve për mësues e përbëjnë ata të arsimit fillor ku rezultojnë të kenë marrë pjesë 159 kandidatë. Por ata nuk përbëjnë pjesën dërrmuese të mbetësve.

Sipas të dhënave nga Agjencia Kombëtare e Provimeve, kandidatët për mësues fizike, ndonëse të paktë në numër, rezultojnë të jenë më të dobëtit, sepse kanë shumicën e ngelësve, në raport me numrin e kandidatëve të secilit profil.

Ndërsa mësuesit e ardhshëm të informatikës duket se do të shkëlqejnë pasi rezultojnë të kenë dalë më mirë në provim, duke u vlerësuar me notë mesatare më të lartë. Sipas të dhënave të AKP-së, në sezonin e shtatë të provimeve të shtetit, nëntor- dhjetor 2015, morën pjesë 797 kandidatë, ndonëse ishin regjistruar 1223.

MËSUES TË PAAFTË

Fenomeni i mësuesve të paaftë nuk është një fakt i panjohur për Ministrinë e Arsimit. Në strategjinë e arsimit parauniversitar, përgatitja dhe zhvillimi profesional i mësuesve paraqitet si sfidë.

Ndërsa përgjegjës për këtë janë disa faktorë si kurrikulat apo mënyra e mësimdhënies në universitete. “Përgatitja e mësuesve të rinj nuk po ecën me ritmet e duhura, sfidat për përmirësimin e programeve të reja janë të mëdha dhe nevoja për mësues të rinj të përgatitur mirë është e padiskutueshme. Konstatohet se kurrikulat shpesh janë të mbingarkuara dhe nuk tregohet vëmendje se çfarë programe studimi janë të nevojshme për mësuesin e suksesshëm”, nënvizohet në dokument.

Të njëjtin shqetësim e kanë ngritur dhe studime të tjera nga organizata të ndryshme. Përveç arsyetimeve më sipër, ata përmendin edhe mungesën e një politike vizionare, mungesën e urdhrit të mësuesit apo cilësinë e dobët të studentëve që në hyrje.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...