Bashkia Kamëz, Qendra Kulturore, nën kujdesin e veçantë të kryebashkiakut Xhelal Mziu, organizoi veprimtarinë përkujtimore “Një vit pa Veli Radën”, kushtuar aktorit të mirënjohur të humorit, komentatorit dhe gazetarit të shquar sportiv, Veli Rada.
Të pranishëm në këtë veprimtari përkujtimore kanë qenë të afërm, miq dhe kolegë të z. Rada si dhe deputeti i PD-se z. Sherefedin Shehu, komentatori i njohur Ismet Bellova etj.
Me këtë rast kryetari i Bashkisë Kamëz, z. Xhelal Mziu, e vlerësoi z. Rada me “Certifikatë mirënjohjeje” (pas vdekjes) për kontributin e dhënë dhe rolin që ka luajtur në veprimtaritë artistike, kulturore e sportive, si dhe në zhvillimet demokratike të qytetit të Kamzës.
Në fjalën e tij, z. Mziu u shpreh se ndihej i emocionuar, për shkak të marrëdhënieve të drejtpërdrejta që ka pasur me z. Rada, por njëherazi ndihej edhe i kënaqur që iu dha mundësia për të qenë një ndër organizatorët e këtij takimi.
“Veli Rada ishte dhe mbetet një figurë universale, e cila i mungon Kamzës dhe Shqipërisë. I mungon sportit, u mungon gazetarëve sportivë, i mungon humorit, u mungon skenave dhe është një figurë e cila ishte lidhur pazgjidhshmërisht me qytetin e Kamzës, duke bërë transmetimin e ndeshjeve, duke qenë pjesë e këtij pallati kulture”, pohoi kreu i Bashkisë Kamëz, duke theksuar se para një viti Bashkia ishte duke e shpallur qytetar nderi dhe se do të dëshironte që Veli Rada të jetonte dhe ta merrte atë titull, por kjo fatkeqësisht nuk varet as nga ne, as nga ai.
Pas fjalës së z. Mziu, certifikata iu dorëzua djalit dhe vëllait të Veli Radës, të cilët kanë falënderuar Bashkinë Kamëz dhe kryetarin e saj për këtë vlerësim dhe për këtë aktivitet kushtuar njeriut të tyre të dashur. Vëllai i aktorit të mirënjohur ka falënderuar të gjithë për pjesëmarrjen dhe shprehu një falënderim të veçantë për kryetarin e Bashkisë, z. Xhelal Mziu, i cili me dashamirësinë e tij e bëri të mundur këtë aktivitet. Ndërkaq, edhe djali i z. Rada falënderoi në radhë të parë Bashkinë Kamëz dhe kryetarin z. Xhelal Mziu, të gjithë shokët e miqtë e Veli Radës si dhe të gjithë pjesëmarrësit në këtë veprimtari.
Moderatori i aktivitetit, gazetari i njohur sportiv Dëfrim Methasani, falënderoi kryebashkiakun Mziu në emër të gazetarëve sportivë dhe të gjithë atyre që e njohin Veli Radën.
Ndërsa, ka falënderuar dhe ka përshëndetur pjesëmarrësit edhe drejtori i Pallatit të Kulturës, z. Baftjar Çera, i cili tha se Veli Rada vinte nga një familje e humorit.
Deputeti i Partisë Demokratike në Dibër, z. Sherefedin Shehu. Duke folur para të pranishmëve, tha se ishte kënaqësi e dyfishtë që merrte pjesë në këtë aktivitet përkujtimor.
“E para, sepse janë lidhjet personale të origjinës, të Dibrës, dhe ne si dibranë jemi krenarë për veprën e këtij njeriu siç ishte Veli Rada, por natyrisht është edhe një përgjegjësi qytetare për të respektuar ata që e meritojnë”, është shprehur z. Shehu, i cili ka falënderuar në mënyrë të veçantë kryebashkiakun Mziu. Në këtë përkujtimore të organizuar nga Qendra Kulturore e Kamzës, u shfaq edhe një dokumentar i shkurtër për jetën dhe veprimtarinë e gjithanshme të të mirënjohurit Veli Rada.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












