Reforma në Drejtësi do të shoqërohet dhe me një rritje të tarifave në shkallët e gjyqësorit. Sipas ekspertit të gjyqësorit Juristi Ilir Panda, do të ketë tarifa më të larta për hapjen e çështjeve, pasi aktualisht këto janë shumë të ulëta.
“Nuk ka hierarki të tarifave të pagesave të lidhura me shkallët gjyqësore dhe nuk ka diferencim tarifash midis llojeve të mosmarrëveshjeve (të tilla si mosmarrëveshje mbi pronësinë, mosmarrëveshje për markën etj.). Tarifa për t’iu drejtuar Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës së Lartë, që aktualisht është mjaft e ulët (200 lekë), mund të përshtatet dhe të ndryshohet duke përfshirë një përqindje tjetër për çdo shkallë për çështjet tregtare”, u është përgjigjur Ilir Panda pyetjeve të qytetarëve në faqen zyrtare online të Reformës në Drejtësi reformanedrejtesi.al.
Tarifë për ankimim do të vendoset dhe për Gjykatën Kushtetuese. Aktualisht nuk ka asnjë pagesë për të hapur një çështje dhe ka një numër të lartë ankesash pranë Kushtetueses. Këto çështje kanë krijuar kosto dhe shpenzime për administratën,m kjo është edhe arsyeja pse do të ketë rritje të tarifave.
“Aktualisht kemi një mungesë totale të aplikimit të tarifave në Gjykatën Kushtetuese. Vitet e fundit vihet re se janë shtuar mjaft kërkesat që depozitohen para kësaj gjykate, duke shtuar volumin e punës së saj, sidomos në fazën e seleksionimit të kërkesave. Kjo gjë ka rritur edhe shpenzimet administrative të saj. Përveç kësaj, në mjaft raste vihen re edhe abuzime me mjetin e ankimit, duke paraqitur kërkesa të cilat nuk plotësojnë kriteret në mënyrë të përsëritur. Konkretisht strategjia dhe planveprimi kanë parashikuar rregullimin e sistemit të tarifave, duke synuar vendosjen e tarifave të arsyeshme dhe proporcionale për shërbimet që ofron pushteti gjyqësor, në funksion të kategorizimit të tyre sipas llojeve të mosmarrëveshjeve dhe duke parashikuar përjashtime mbi bazën e kritereve objektive dhe të matshme, të cilat synojnë të rrisin aksesin në gjykatë të individëve që nuk kanë mundësi financiare, por nga ana tjetër e bëjnë me të logjikshme përdorimin e të drejtës për ankimim”, ka theksuar Ilir Panda.
Ekspertja ligjore Agnes Bernhard që po asiston Komisionin e Reformës në Drejtësi ka sqaruar se emërimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj do të bëhet kur ata të kenë moshën 30 vjeç, me një përvojë 5-vjeçare.
Bernhard ka theksuar se emërimi para kohe i studentëve që mbarojnë shkollën e Magjistraturës mund të ketë efekt negativ për shkak të presionit që mund të kenë çështjet e caktuara. “Komisioni i Venecias në opinionet e tij, për një vend tjetër, ka vlerësuar të arsyeshëm ‘propozimin që gjyqtarët e rinj të sapoemëruar të jenë të moshës 30-vjeçare… dhe të kenë pesë vjet e jo tre vjet përvojë’. Komisioni i Venecias vlerëson se caktimi i periudhave të provës mund të cenojë pavarësinë e gjyqtarëve, për shkak se ata mund të ndihen nën presion për të vendosur lidhur me çështjet në një mënyrë të caktuar.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












