Ministrat Cani dhe Klosi nuk i binden Ramës, nuk heqin dorë nga mandati i deputetit

Shares

Nga 19 ministrat e qeverisë, që prej konstituimit të kabinetit të ri ai që vijon të ketë mandatin që prej shtatorit të 2013-s, është ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ndërsa që prej 5 muajsh që kur është bërë ministër, mandatin e deputetit e mban njëkohësisht edhe Blendi Klosi, i cili zëvendësoi në postin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliajn. Mesa duket, dy ministrat do të vijojnë ta mbajnë këtë mandat, edhe pse që në krijimin e qeverisë së re “Rama”, Kryeministri iu ka kërkuar të gjithë ministrave që të lënë mandatin, duke marrë shkas nga puna e dyfishtë që do t’iu duhej të bënin.

Edhe pse nuk kanë afat të përcaktuar për lënien e mandatit të deputetit, dy ministrat e kabinetit qeveritar nuk kanë dhënë asnjë koment lidhur me këtë çështje. Por në lidhje me mandatin e ministrit Cani, mësohet se mosdakordësia me kandidaten në listën shumemërore të PS-së për Qarkun e Dibrës, Ezmerina Hoxha, vijon të mbetet arsyeja e mosdorëzimit të tij. Edhe pse ndaj ministrit Cani nuk kanë munguar kritikat e Kryeministrit Rama që në fillim të vitit për shkak të vonesave në pagesat e punonjësve të administratës shtetërore, kjo nuk është një arsye që ministri të përdorë këtë mandat nga frika e një zëvendësimi me një tjetër emër në radhët e mazhorancës. Teksa vetë ministri Cani nuk jep asnjë koment në lidhje me këtë fakt, kandidatja e PS-së në Dibër, Ezmerina Hoxha, ia ka lënë në dorë kryesisë së partisë zgjidhjen e çështjes së mandatit të deputetit.Mosarritja e një konsensusi duket se ka lënë pezull edhe çështjen e mandatit, që me shumë gjasa do të kalojë te mjeku Ceni, një zë i njohur në drejtimin e Partisë Socialiste në Burrel.

Në lidhje me mandatin e ministrit Klosi, ende nuk është bërë e ditur arsyeja e moslënies së mandatit të deputetit, dorëzimi i të cilit do t’i linte hapësirë një tjetër kandidati për deputet që synon të hyjë në Parlament. Bëhet fjalë për Jurgis Çyrbja. Emri i kandidatit është i teti në listën e Partisë Socialiste për Qarkun e Durrësit, pasi PS për këtë qark nuk ka në listë asnjë emër tjetër femre. Çyrbja, i cili aktualisht mban postin e kreut të Hipotekës në Bashkinë e Durrësit do të ulet në radhët e Parlamentit vetëm në rast se Klosi dorëzon mandatin e deputetit.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...