“Më kanë rrëmbyer 4 veta të maskuar. Më detyruan të futem në makinën e tyre. Tani sa kemi kaluar Fushë Krujën”. Kjo ishte telefonate një 26-vjeçare, nënë e dy fëmijëve, që ka alarmuar bashkëshortin e saj në shkurt të këtij viti. Menjëherë ai ka lajmëruar policinë për ngjarjen, pa ditur se gjithçka ishte një sajesë e bashkëshortes për të justifikuar takimin me një shok të saj.
Pak orë pasi u njoftuan për ngjarjen, punonjësit e policisë janë vënë në kërkim dhe në fshatin Katund i Ri, Durrës kanë ndaluar një automjet tip “Benz Mercedes”, brenda të cilit ndodheshin Edlira.P., Re.B. dhe Xhe.C. Këta persona janë shoqëruar ne Komisariatin e Policisë nr.5, Tiranë, por ata s’dinin gjë për rrëmbimin e gruas. Për me tepër, ata dinin se femra që kishin në makinë quhej Jona dhe ishte 23 vjeç. Edhe para oficerëve të policisë ajo nuk e ka kursyer historinë e fantazuar, sikur ishte rrëmbyer nga 4 persona të maskuar. Bashkëshorti i të pandehurës ka deklaruar se nuk e kishte gjetur bashkëshorten në shtëpi. Kishte lajmëruar vjehrrën, e cila kishte ardhur menjëherë. Ai kishte tentuar t’i telefononte bashkëshortes, por ajo nuk e ngrinte telefonin. Bashkë me vjehrrën kanë shkuar në polici dhe kanë njoftuar në lidhje me largimin e saj. Rreth orës 14:10 kishte mundur të lidhet me telefon dhe të shoqen, dhe ajo i ka thënë se e kishin rrëmbyer katër persona të armatosur dhe të maskuar. E.P. i kishte thënë gjithashtu se kishte rreth gjysmë ore që kishin kaluar FushëKrujën. Ai e kishte marrë me rezervë këtë informacion, por megjithatë ua kishte transmetuar punonjësve të policisë.
Pak ditë më parë, Edlira P. u deklarua fajtore nga Gjykata e Tiranës për akuzën e “kallëzimit të rremë” dhe u gjobit me 100 mijë lekë. Sipas Gjykatës, 26-vjeçarja kishte kallëzuar me dashje një krim që nuk kishte ndodhur. Gjatë gjykimit ajo ka pranuar akuzën dhe është shfaqur e penduar.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












