Rreth 1 mijë shtetas shqiptarë gjatë javës së fundit nuk janë lejuar të kalojnë kufirin grek në doganën e Kakavijës. Qytetarët pohojnë se u kërkohet një shumë prej 50 euro në ditë qëndrimi në Greqi, disa të tjerëve nuk u kanë pranuar garancitë me afat kohor më të gjatë se një javë, ndërsa pjesës më të madhe nuk ua shohin fare dokumentet e paraqitura duke u kërkuar një garanci prej 3 deri në 5 mijë euro. Ndërsa kalimi në tokën fqinje është bërë pothuajse i pamundur, qytetarët shqiptarë të ardhur nga zona të ndryshme të vendit vijojnë të presin për ditë me radhë më shpresën e zhbllokimit të situatës. Ata rrinë në dyert e doganave prej orëve të para të mëngjesit deri në mbrëmje duke i shtuar kështu qëndrimit të tyre edhe shpenzimet e hotelit. Sipas tyre pala greke i kthen mbrapsht me pretendimin se këta qytetarë po kalojnë kufirin grek me qëllim punësimi sezonal.
Mosrespektimi i lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë drejt Greqisë ka ndodhur në vazhdimësi prej mëse një muaji, por tre ditët e fundit situata është përkeqësuar ndjeshëm. Nga ana tjetër autoritetet kufitare shqiptare nuk e komentojnë qëndrimin e homologëve grekë, pasi sipas tyre është e drejta e palës greke të vendosë kalimin ose jo të shtetasve të huaj.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












