Nishani: Kodi Zgjedhor të mundësoj votën e emigrantëve

Shares

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti në një takim përfaqësues të Forumi i Shoqatave Shqiptare në Itali, në kuadër të një nisme të ndërmarrë nga shoqatat shqiptare në bashkëpunim me Luljeta Çobanaj, Konsulle e Përgjithshme të Shqipërisë në Milano.

Kreu i Shtetit gjatë bashkëbisedimit i siguroi pjesëmarrësit se Institucioni i Presidentit do të jetë gjithnjë i hapur për të mirëpritur, për të kontaktuar dhe për të komunikuar me përfaqësuesit e diasporës nga të gjitha vendet ku ata jetojnë dhe punojnë. Presidenti Nishani shtoi se diaspora ka qenë prioritet kryesor i tij që në momentin e marrjes së detyrës së Presidentit të Republikës dhe ka vendosur burime njerëzore të posaçme në kabinetin e tij për diasporën, duke krijuar edhe rubrikën e veçantë të diasporës në faqen zyrtare të internetit të Institucionit të Presidentit dhe krijimin e rrjetit “Miqtë e Shqipërisë”.

Presidenti u shpreh gjatë takimit se e drejta e votës duhet pasqyruar në ligjin zgjedhor në mënyrë që të gjithë shtetasit me shtetësi shqiptare, pavarësisht se ku ndodhen apo jetojnë, të kenë mundësi të votojnë në zgjedhjet parlamentare. Kreu i Shtetit nënvizoi se diaspora shqiptare ka potenciale të jashtëzakonshme, të cilat mund të kontribuojnë shumë në aspektin e zhvillimit ekonomik, social, kulturor të Shqipërisë. Gjithashtu, Presidenti i Republikës shprehu bindjen e tij mbi nevojën e krijimit të Ministrisë së Diasporës si një domosdoshmëri e kohës dhe si një institucion ku diaspora shqiptare të shprehë mendimet e saj lidhur me vendimmarrjet mbi zhvillimin e vendit.

Presidenti i Forumit F.A.R.E., Roland Jaçe shprehu falënderimet e tij për pritjen në Institucionin e Presidentit të Republikës si dhe vuri ne dukje se të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë shikojnë te Presidenti i Republikës përfaqësuesin e unitetit të kombit dhe si i tillë, përfaqësuesin e diasporës shqiptare dhe interesave të saj.

Në vijim të bashkëbisedimit, përfaqësuesit e F.A.R.E parashtruan disa nga shqetësimet dhe kërkesat e tyre, të cilat kishin të bënin me ushtrimit të së drejtës sovrane të votës por edhe mbështetjen në nxitjen e institucioneve shqiptare për krijimin e Instituteve të Posaçme të Kulturës në Itali apo dhe në vende të tjera, me qëllim ruajtjen dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe si dhe të kulturës shqiptare në mënyrë që ato t’i përcillen brezave të ardhshëm.

Në përfundim të takimit Presidentit të Republikës iu dorëzua dhe Akt-Marrëveshja e nënshkruar më 2 qershor 2013, e cila përmban përshkrimin e plotë të të gjitha kërkesave dhe prioriteteve të shoqatave të shqiptarëve në Itali.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...