Prokuroria për Krime të Rënda kërkon dënimin me 11 vjet burgim për shtetasen greke Maria Ktazogou, e akuzuar për veprën penale të “trafikimit të lëndëve narkotike”, në bashkëpunim, e mbetur në tentativë. Procesi ndaj saj u zhvillua me gjykim të shkurtuar, duke përfituar në këtë mënyrë uljen e 1/3 së dënimit nëse shpallet fajtore.
E pandehura është arrestuar në dhjetor të 2014 në pikën e kalimit kufitar Kakavijë, duke dalë nga Shqipëria, në tentativë për të trafikuar rreth 28 kg lëndë narkotike canabis sattiva, të cilën e kishte fshehur në automjetin e saj. Në bazë të hetimit rezultoi se kjo shtetase, për të shmangur dyshimet në kontrollin kufitar, kishte marrë me vete edhe vajzën e saj të mitur 3-vjeçare.
Fillimisht, e pandehura deklaroi se nuk kishte dijeni për lëndën narkotike në mjetin e saj. Por më pas, deklaroi se e kishte blerë lëndën narkotike për përdorim vetjak dhe për qëllim shitje. Sa i përket vendit ku e kishte blerë, prezantoi një version të vështirë për t’u besuar; sipas saj, në intenerarin e kthimit nga Gjirokastra për në territorin grek, ajo kishte parë një person që shiste lëndën narkotike në anë të rrugës. Kishte ndaluar dhe e kishte blerë. Pavarësisht këtyre pretendimeve, nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda janë kryer një seri veprimesh hetimore, nga të cilat janë përftuar të dhënat në vijim: E pandehura, në ditët para arrestimit, ka kryer disa hyrje-dalje nga Greqia në Shqipëri, herë vetëm me vajzën dhe herë me bashkëshortin e saj. Sipas pretendimeve fillestare, e pandehura pretendonte se vinte në Shqipëri për të kryer shërbim dentar (në fakt, kjo është e provuar pranë një klinike në Gjirokastër). Në datë 16.10.2014 (pak kohë para arrestimit), kjo shtetase ka hyrë në territorin shqiptar me automjetin e saj tip Citroen dhe, sipas deklarimeve paraprake, është shprehur se mjeti ka pasur defekt dhe ka telefonuar një shtetas shqiptar, të cilin e kishte njohur në Greqi, por që në ato ditë ishte në Shqipëri (Tepelenë), për ta ndihmuar.
Ky i fundit, i njohur vetëm me emrin “B…”, e ka ndihmuar, duke i marrë makinën dhe e pandehura është rikthyer në Greqi si këmbësore.
Në fund të muajit nëntor 2014, “B….” e kishte telefonuar dhe i kishte thënë që makina është rregulluar dhe e pandehura është nisur nga Greqia, së bashku me bashkëshortin dhe vajzën, për të marrë mjetin.
Në fillim të dhjetorit 2014, nën shoqërinë e vajzës së mitur, pasi i shoqi ishte larguar më parë me mjetin e tij, e pandehura Maria është arrestuar në pikën kufitare të Kakavijës, pasi gjatë kontrollit iu gjet lënda narkotike e fshehur në një ambjent të sajuar poshtë sediljeve.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












