EKSKLUZIVE/Ligji i plotë për dekriminalizimin, përgaditur nga PD

Shares

Më poshtë është ligji i plotë për dekriminalizimin i përgaditur nga PD.

PROJEKTLIGJ

Nr. ______/2015

PËR DEKRIMINALIZIMIN E INSTITUCIONEVE PUBLIKE, NËPËRMJET NDALIMIT TË USHTRIMIT, ZGJEDHJES APO EMËRIMIT NË FUNKSIONE PUBLIKE TË PERSONAVE ME REKORDE KRIMINALE

Neni 1

Qëllimi dhe objekti

1. Qëllimi i këtij ligji është dekriminalizimi i organeve të zgjedhura, institucioneve të pavarura dhe administratës publike, si dhe mbrojtja në të ardhmen i funksionimit demokratik e ligjor të tyre, nëpërmjet largimit nga funksionit publik, apo pengimit të zgjedhjes ose emrimit në to, të personave me rekorde kriminale dhe/ose përdoruesve të substancave narkotike.

2. Ky ligj ka për objekt mbrojtjen e integritetit dhe mirëfunksionimit demokratik të Kuvendit, organeve të qeverisjes vendore, institucioneve kushtetuese apo të krijuara me ligj, administratës publike, forcave të armatosura, organeve të rendit publik, sigurisë kombëtare, dhe çdo insitucioni apo entiteti tjetër ekonomik shtetëror, nga ndikimi apo pjesëmarrja në politikëbërje dhe/ose vendimmarrje, i personave të cilët kanë kryer apo kanë tentuar të kryejnë vepra penale dhe/ose janë përdorues të substancave narkotike, sipas përcaktimeve të këtij ligji.

Neni 2

Kushtet për kandidim dhe për t’u zgjedhur në funksione publike

1. Nuk mund të kandidojnë, nuk mund të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie apo këshilltar në këshillin bashkiak dhe në çdo rast nuk mund të marrin një funksion me votim nga Kuvendi, përfshirë funksionin e Kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të Ministrave, apo me votim nga këshillat bashkiakë ose të qarkut, personat të cilët janë dënuar me vendim të formës së prerë, brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, për:

a) kryerjen e një krimi të parashikuar nga nenet 73, 74, 75, 78/a, 79, 79/a, 79/b dhe 79/c, 100, 101, 102, 102/a, 103, 104, 105, 106, 109, 109/b, 110/a, 111, 114, 128/b, 219, 220, 221, 230, 230/a, 230/b, 231, 232, 233, 234, 234/a, 234/b, 278/a, 282/a, 283, 283/a, 284/a, 287 i lidhur me kryerjen e një krimi të rëndë, 333, 333/a e 334 të Kodit Penal;

b) kryerjen e një vepre penale në fushën e korrupsionit të parashikuar në nenet 244, 245, 248, 259, 260 apo në fushën e zgjedhjeve të parashikuar në Kreun X “Vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve” të Kodit Penal.

c) kryerjen e një krimi për të cilin janë dënuar me jo më pak se 2 vjet burgim.

ç) për kryerjen me dashje të një krimi që nuk përfshihet në shkronjat”a”dhe “b” të kësaj pike, dhe kur janë dënuar me jo më pak se 6 muaj burgim.

2. Nuk kanë të drejtën të votojnë dhe të zgjedhin me votim të drejtprdrejtë kandidatët për deputetë në Kuvend apo në organet e qeverisjes vendore, personat që plotësojnë kushtet e parashikuara gërmat “a” dhe “b” të pikës 1 të këtij neni.

3. Ndalimi i parashikuar nga pika 1 e këtij neni zbatohet edhe ndaj personave:

a) për të cilët është marrë masë sigurimi personal dhe/ose është lëshuar një urdhër kërkimi ndërkombëtar nga një autoritet gjyqësor i huaj, për kryerjen apo tentativën e kryerjes së një prej veprave penale të parashikuara në pikën 1, gërma “a” të këtij nenit, derisa nuk ka një vendim pafajësie në favor të tij.

b) që janë dëbuar nga territori i një vendi të huaj në lidhje me një prej veprave penale të parashikuara në pikën 1, gërma “a” të këtij neni.

4. Ndalimet e parashikuara në këtë nen zbatohen edhe ndaj personave që në kohën e kryerjes apo tentativës së kryerjes të veprës penale, mbanin të dhëna identiteti të ndryshme nga ato që mbajnë në momentin kur zbatohet ndalimi ndaj tyre.

5. Kohëzgjatja e ndalimeve të parashikuar nga ky nen përcaktohen, sipas rastit, në nenin 4 të këtij ligji.

Neni 3

Kushtet për t’u emëruar në funksione publike

1. Për veprat penale të parashikuara në pikën 1 të nenit 2 të këtij ligji, personi nuk mund të emërohet edhe në funksionet publike si më poshtë:

a) në organe kushtetuese apo të krijuara me ligj;

b) në postin e zëvendësministrit apo të njëvlerëshëm me të;

c) në postin e prefektit;

ç) funksionarë politikë në kabinetet e drejtuesve të çdo institucioni kushtetuese apo të krijuar me ligj:

d) në Shërbimin Informativ Shtetëror;

dh) në shërbimin civil;

e) në çdo nivel drejtimi të policisë së shtetit;

ë) ushtarakë të forcave të armatosura, si dhe

f) në çdo post drejtues të kompanive që zotërohen plotësisht apo në mazhorancë ose administrohen nga shteti.

2. Kohëzgjatja e ndalimit të parashikuar nga ky nen përcaktohet, sipas rastit, në nenin 4 të këtij ligji.

Neni 4

Periudha e ndalimit të kandidimit, zgjedhjes apo ushtrimit të një funksioni të zgjedhur ose të emëruar

1. Për personat që parashikohen në shkronjën”a” të pikës 1, ndalimi për kandidim, zgjedhje apo ushtrim të mandatit, zgjat gjatë gjithë jetës.

2. Për personat që parashikohen nga shkronja “b” e pikës 1 të nenit 2, ndalimi për kandidim, zgjedhje apo ushtrim të funksionit zgjat 20 vjet nga momenti i përfundimit të dënimit me burg, sipas vendimit gjyqësor të formës së prerë.

3. Për personat që parashikohen nga shkronja “c” e pikës 1 të nenit 2, ndalimi për kandidim, zgjedhje apo ushtrim të funksionit zgjat 10 vjet nga momenti i përfundimit të dënimit me burg, sipas vendimit gjyqësor të formës së prerë.

4. Për personat që parashikohen nga shkronja”ç” e pikës 1 të nenit 2, ndalimi zgjat nga momenti i përfundimit të dënimit me burg, sipas vendimit gjyqësor të formës së prerë, deri në momentin e rehabilitimit, sipas nenit 69 të Kodit Penal.

5. Për personat që parashikohen në pikën 2 të nenit 2, periudha e ndalimit është sa afati i rehabilitimit të dënimit përkatës por jo më pak se 5 vjet.

6. Për personat që parashikohen në pikën 3 të nenit 2 të këtij ligji, ndalimi për kandidim, zgjedhje apo ushtrim të funksionit zgjat 35 vjet nga momenti i përfundimit të dënimit me burg, sipas vendimit gjyqësor të formës së prerë.

7. Zbatimi i afateve të këtij neni llogaritet në përputhje me llojin e veprës për të cilën është dënuar personi subjekt i këtij ligji ose në varësi të afatit fillestar të dënimit të dhënë me vendimin fillestar që ka marrë formë të prerë. Amnistia, falja, ose lirimi i parakohshëm me kusht nuk ndikojnë në zbatimin e këtij ligji dhe nuk përllogariten në funksion të shkurtimit të afatit të dënimit me qëllim shkurtimin e periudhes së ndalimieve të parashikuara nga ky ligj.

Neni 5

Vetëdeklarimi i rekordeve penale dhe verifikimi i të dhënave

1. Personat e parashikuar nga neni 2 dhe 3 i këtij ligji duhet të plotësojë e të nënshkruajnë një formular vetëdeklarimi me anë të të cilit deklarojnë pasjen ose mospasjen e një apo më shumë prej rrethanave te parashikuara në po atë nen.

2. Në rast refuzimi për të dorëzuar formularin e vetdeklarimit personi trajtohet sikur të ketë rezultuar në një nga rrethanat që përbën kusht për ndalimin e zgjedhjes apo emërimit të tij në një funksion publik.

3. Mosparaqitja e formularit të vetëdeklarimit përbën shkak për mosregjistrimin e kandidatit në zgjedhje nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, apo për mosemërimin nga organi përgjegjës sipas ligjit. Modeli i formularit të vetëdeklarimit miratohet me vendim të Kuvendit.

4. Formulari i vetëdeklarimit plotësohet vetëm nga personi që është subjekt i këtij ligji. Mosdeklarimi, deklarimi i rrethanave të rreme, të shtrembëruara apo të pavërteta në përputhje me këtë nen përbën vepër penale sipas nenit 190 të Kodit Penal.

5. Formulari i vetëdeklarimit dorëzohet dhe administrohet, sipas rastit:

a) pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për kandidatët për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë apo në organet e qeverisjes vendore;

b) pranë Kryetarit të Kuvendit për kndidatët për funksione në organet kushtetuese apo të krijuara me ligj dhe që zgjidhen nga Kuvendi;

c) pranë prefektit të qarkut përkatës për personat që emërohen në funksione publike me votim nga këshilli bashkiak nën juridiksionin e prefektit apo nga këshilli i qarkut përkatës;

ç) pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për anëtarët e Këshillit të Ministrave që nuk kanë mandat deputeti dhe nuk paraqitur vetëdeklarim sipas gërmës “a” të kësaj pike;

d) pranë titullarit apo organit që bën emërimin për funksionarin publik që emërohet sipas gërmës “a”, pika 1, të nenit 3 dhe kur ky emërim është i ndryshëm nga funksionet e zgjedhura me votim nga Kuvendi si dhe kur emërimi bëhet sipas gërmave “ç” dhe “f”;

dh) pranë Kryeministrit për rastet e parashikuara nga gërmat “a”, “b” dhe “c” të pikës 1 të nenit 3;

e) pranë drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror apo drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, sipas rastit, për gërmat “d” dhe “e” të pikës 1 të nenit 3 të këtij ligji.

ë) Pranë Departamentit të Administratës Publike për rastet e parashikuara nga gërma “dh” e pikës 1 të nenit 3;

f) pranë Ministrit të Mbrojtjes për rastet e parashikuara në gërmën “ë” të pikës 1 të nenit 3.

6. Këto vetëdeklarime dhe të dhënat e përfshira në to mund të bëhen publike në çdo kohë dhe pa asnjë kufizim para dhe pas datës së zgjedhjeve të përgjithshme apo vendore, votimeve në Kuvend, apo emërimit, me kërkesë të subjekteve të interesuara.

7. Kërkesa për marrjen e formularit të vetëdeklarimit dhe/ose të dhënave të përfshirë në të nuk mund të refuzohet apo kufizohet në asnjë rast. Refuzimi apo kufizimi i dhënies së tyre përbën vepër penale sipas nenit 248 të Kodit Penal.

Neni 6

Organi kompetent për miratimin e procedurave dhe afateve për administrimin e vetëdeklarimeve

1. Rregullat e detajuara dhe afatet për plotësimin, dorëzimin, administrimin dhe publikimin e vetëdeklarimeve si dhe për marrjen e masave për zbatimin e ndalimeve të prashikuara nga ky ligj miratohen me vendim të Kuvendit.

2. Rregullat dhe afatet e miratuara sipas pikës 1 të këtij neni duhet të mundësojnë që vetëdeklarimet të bëhen, sipas rastit, në kohë të mjaftueshme përpara kandidimit, votimit ose emërimit në funksionin publik, me qëllim administrimin e rregullt, transparencën dhe publikimin në kohë kur kjo kërkohet, si dhe verifikimin e të dhënave në çdo rast që e parashikon ky ligj dhe nxjerrjen e përfundimeve të verifikimit dhe zbatimin e ndalimeve që parashikon ky ligj.

Neni 7

E drejta e nismës për verifikimi i të dhënave

1. Verifikimi i të dhënave të deklaruara në formularin e vetëdeklarimit të parashikuar në nenin 5, kryhet sa herë kjo kërkohet nga:

a) 1/10 e deputetëve, Kryetari i Kuvendit, Prokurori i Përgjithshëm apo një prokuror tjetër ose dy anëtarë të KQZ-së për një deputet të Kuvendit të Shqipërisë apo një anëtar të Këshillit të Ministrave, përfshirë Kryeministrin, për një të zgjedhur në organet e bashkisë apo të qarkut si dhe për anëtarin apo drejtuesin e një organi kushtetues apo të krijuar me ligj dhe që zgjidhet me votim nga Kuvendi i Shqipërisë;

b) Kryeministri, çdo deputet, Prokurori i Përgjithshëm ose një prokuror tjetër për ministrin, zëvendësministrin apo funksione të njëvlershme me të, prefektin dhe çdo drejtues institucioni në varësi të Kryeministrit ose një ministri si dhe për drejtorin e Shërbimit Informativ Shtetëror;

c) Ministri i linjës, çdo deputet ose një prokuror për drejtusit dhe pjestarët e shërbimit civil të çdo niveli në adminitratën publike në nivel qëndror ose vendor, Policinë e Shtetit dhe Forcat e Armatosura.

2. Kërkesa sipas kësaj pike mund të bëhet pranë organit kompetent për verifikimin sipas këtij ligji edhe nga jo më pak se 500 shtetas me të drejtë vote.

3. Kërkesa për verifikim duhet të përmbajë të dhëna, fakte apo rrethana specifike. Mungesa e tyre, në çdo rast nuk pengon fillimin e verifikimit sipas këtij ligji.

4. Çdo nismëtar i kërkesës gjobitet me 100.000 lekë kur pas kryerjes së verifikimit, kërkesa dukshëm është kryer me të dhëna të pavërteta.

Neni 8

Organi kompetent për verifikim dhe zbatimin e ndalimeve për zgjedhjen dhe emërimin në funksione publike

1. Drejtuesi i institucionit që sipas nenit 5 është i ngarkuar për marrjen e kërkesës për verifikim, është i detyruar që t’i kërkojë brenda 5 ditëve organit kompetent verifikimin e të dhënave sipas këtij ligji. Pranë Prokurorisë së Përgjithshme ngrihet dhe funksion një strukturë e posacme për të realizuar procesin e verifikimit dhe për të koordinuar informacionin me institucionet e tjera relevante. Kjo strukturë konsiderohet në kuptim të këtij ligji si organi i ngarkuar me verifikimin e të dhënave, fakteve dhe rrethanave të përfshira në vetëdeklarim si dhe çdo të dhëne, fakti apo rrethane tjetër të padeklarura dhe që përbën bazë për zbatimin e ndalimeve të parashikuara nga ky ligj.

2. Përfundimet e procesit të verifikimit i përcillen organit përgjegjës brenda 3 ditëve nga përfundimi i tyre, sëbashku me kërkesën për aplikimin ose jo të masës së ndalimit sipas këtij ligji. Rezultatet e verifikimit dhe të dhënat e grumbulluara ruhen në një sistem elektronik që administrohet nga Prokuroria e Përgjithshme.

3. Organi kompetent kërkon verifikimin mbi bazën e kërkesës ose kryesisht, kur disponon të dhëna, apo fakte përfshirë fakte të njohura botërisht, që përbëjnë shkak për zbatimin e këtij ligji.

4. Organi kompetent për kryrjen e verifikimeve përdor çdo të dhënë apo dokumentacion në dispozicion të tij ose i kërkon ato pranë cdo organi apo entitetet të tjera shetërore, brenda apo jashtë vendit.

5. Në çdo rast verifikimi, është e detyrueshme të përdoren gjurmët daktiloskopike dhe çdo e dhënë tjetër biometrike që ruhet në bazën e të dhënave të identifikimit të shtetasve shqiptarë. Kur nuk disponohen gjurmët daktiloskopie dhe të dhënat e tjera biometrike të shtetasit për të cilin kryhen verifikimet, organi verifikues i kërkon shtetasit që brenda 5 ditësh të depozitojë këto të dhëna në Policinë e Shtetit sipas procedurave për prodhimin e dokumentave të identifikimit të shtetasve. Në rast refuzimi personi trajtohet sikur të ketë rezultuar në një nga rrethanat që përbën kusht për ndalim.

6. Organi ose enti shtetëror apo privat që mban gjurmët daktiloskopike dhe të dhënat biometrike sipas ligjit për dokumentat e identitetit të shtetasve shqiptarë, në asnjë rast nuk mund të refuzojë aksesin tek baza përkatëse e të dhënave dhe/ose dhënien e të dhënave të nevojshme për verifikim sipas këtij ligji. Trajtimi i të dhënave kryhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.

7. Kur ka informacion dhe është e nevojshme, verifikimi kryhet edhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Kërkesa për verifikim pranë organeve të juridiksioneve të huaja bëhet nga Prokurori i Përgjithshëm.

8. Kur verifikimi kryhet për një deputet, të zgjedhur vendor apo një funksionar që ka një mandat me kohë të përcaktuar sipas Kushtetutës apo ligjit, e drejta për të nisur verifikimin e të dhënave sipas këtij ligji, si rregull, përfundon me fundin e mandatit të personit të zgjedhur. Kur verifikimi ka nisur para përfundimit të mandatit, procedura e verifikimit kryhet deri në arritjen e konkluzioneve përkatëse.

9. Kur organet kompetente e përfundojnë verifikimin pas përfundimit të mandatit ose kur vihen në dijeni të rrethanave apo fakteve që provojnë ekzistencën e të dhënave të padeklaruara sipas parashikimeve të këtij ligji, edhe pas përfundimit të mandatit, ato administrojnë përfundimet e hetimit dhe bëjnë kallëzim penal në përputhje me nenin 190 të Kodit Penal.

Neni 9

Detyrimi për bashkëpunim

Çdo organ shtetëror ka detyrimin që të bashkëpunojë me organet e ngarkuara nga ky ligj, për verifikimin e të dhënave, fakteve dhe rrethanave të deklaruara prej shtetasve sipas këtij ligji. Mosbashkëpunimi apo refuzimi për të bashkëpunuar, pengesa, vonesa apo keqdrejtimi në procesin e verifikimit përbën vepër penale në përputhje me nenet 248 të Kodit Penal.

Neni 10

Veprimet e KQZ kur verifikohen kushtet per moskandidim dhe moszgjedhje

Kur verifikohen kushtet per moskandidim dhe moszgjedhje në përputhje me këtë ligj, KQZ kryen veprimet e mëposhtme:

a) refuzon kandidaturën e personit, kur kushtet verifikohen para procesit të pranimit të kandidaturave, dhe i kërkon subjektit zgjedhor të interesuar të zëvendësojë kandidaturën brenda afatit të parashikuar për dorëzimin e kandidaturave;

b) heq kandidatin nga kandidimi kur kushtet verifikohen para shtypjes së fletëve të votimit pa të drejtë zëvendësimi për rastin e kandidatëve për kryetar të njësisë së qeverisjes vendore apo për kandidatët e propozuar nga zgjedhësit për këshillin e njësisë së qeverisjes vendore;

c) kur kushtet e moskandidimit verifikohen pas shtypjes së fletëve të votimit dhe para shpalljes së rezultateve:

i) shpall pavlefshmërinë e zgjedhjeve në zonën zgjedhore përkatëse kur verifikohen

kushtet për moskandidim dhe moszgjedhje të personit që ka të drejtën e mandatit të kryetarit të njësisë së qeverisjes vendore mbi bazën e votave të marra.

ii) shpall rezultatin për kryetar të njësisë së qeverisjes vendore kur verifikohen kushtet

për moskandidim dhe moszgjedhje sipas këtij neni për një kandidat që nuk është fitues, dhe shpall faktin e moskandidimit dhe moszgjedhshmërisë për kandidatin përkatës;

iii) përjashton nga përllogaritja e mandateve kandidatin e propozuar nga zgjedhësit për

këshilltar në këshillin e njësisë së qeverisjes vendore përkatëse dhe përllogarit mandatet duke përjashtuar votat e marra prej tij;

iv) shpall fitues nga lista shumëemërore kandidatin vijues në renditje dhe në përputhje me

kuotën gjinore, si dhe shpall faktin e moskandidimit dhe moszgjedhshmërisë për kandidatin përkatës;

ç) shpall pavlefshmërinë e mandatit kur kushtet e moskandidimit dhe moszgjedhshmërisë verifikohen pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve në përputhje me këtë Kod dhe para fillimit të ushtrimit të mandatit nga personi i shpallur i zgjedhur në kundërshtim me këtë nen, si dhe shpall mandatin në përputhje më këtë Kod;

d) shpall pavlefshmërinë e mandatit dhe përfundimin e parakohshëm të mandatit kur kushtet e moskandidimit dhe moszgjedhshmërisë verifikohen pas fillimit të ushtrimit të mandatit nga personi përkatës, si dhe shpall mandatin në përputhje me këtë Kod, si dhe njofton Kryetarin e Kuvendit në rastin e pavlefshmërisë së mandatit të deputetit, apo Kryeministrin në rastin e kryetarit të bashkisë apo të këhilltarit bashkiak.

2. Kur deputeti mban në të njëjtën kohë postin e antarit të Këshillit të Ministrave, Kryeministri i propozon Presidentit, brenda 48 orësh shkarkimin e ministrit.

3. Në rast se kushtet e pavlefshmërisë së mandatit verifikohen për Kryeministrin, ai i paraqet Kuvendit mocion besimi brenda 48 orësh, në përputhje me nenin 104 të Kushtetutës dhe Kuvendi miraton shkarkimin e tij nga detyra.

4. Në rast se anëtari i Këshillit të Ministrave nuk ka mandat deputeti, konstatimi i kushteve për moszgjedhshmëri dhe ushtrim të funksionit publik sipas nenit 2 të këtij ligji, zbatohen sipas rastit, pika 2 ose 3 e këtij neni.

5. Në rastet kur organet e ngarkuara nga Kushtetuta apo ligji për konstatimin e mbarimit apo pavlefshmërisë së mandatit, ose shkakrimin nga detyra të funksionarit publik, nuk veprojnë brenda 10 ditëve nga përfundimi i rezultateve të verifikimit, me kërkesë të 1/5 së deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, cështja i përcillet për shqyrtim Gjykatës Kushtetutes, e cila vendos konstatimin e mbarimit apo pavlefshmërisë së mandatit, ose shkakrimin nga detyra të funksionarit publik, kur plotësohen kushtet dhe rrethanat sipas këtij ligji.

Neni 11

Verifikimi i kushteve për moskandidim dhe mozgjedhshmëri në rastin e krijimit të vakancave në Kuvend ose në këshillin bashkiak

1. Vetëdeklarimi dhe verifikimi i rekordeve kriminale në përputhje me këtë ligj kryhet edhe për çdo kandidat të listave shumëemërore apo kandidat të propozuar nga zgjedhësit për zgjedhjet pararendëse për Kuvendin apo këshillin bashkiak përkatës, kur për shkak vakance në Kuvend apo në këshillin bashkiak, kandidatit i takon të marrë mandatin për vendin vakant sipas Kodit Zgjedhor.

2. Për kandidatët e listave shumëemërore për të cilët kryhet verifikimi sipas pikës 1 të këtij neni, kur verifikohen kushtet e mozgjedhshmërisë sipas këtij ligji, KQZ shpall faktin e moszgjedhshmërisë së personit përkatës dhe procedon me kandidatin vijues në përputhje me rregullat e përcaktuara në Kodin Zgjedhor.

Neni 12

Veprimet në lidhje me zgjedhësit

1. Kur një shtetas dënohet me vendim përfundimtar të formës së prerë për një nga veprat e parashikuara nga gërmat “a” dhe “b” të nenit 2 të këtij ligji, gjykata e rrethit gjyqësor që ka marrë vendimin i dërgon një kopje të vendimit Drejtorisë së Përgjithëshme të Gjendjes Civile e cila merr masa për ngrirjen e rekordit zgjedhor të shtetasit deri në përfundim të afatit të përcaktuar në nenin 4 si dhe merr masa për njoftimin e shtetasit.

2. Gjatë kësaj periudhe, rekordi zgjedhor i shtetasit përkatës nuk përfshihet në listën e zgjedhësve.

Neni 13

Verifikimi i kushteve për mosushtrim të funksionit publik të emëruar

1. Në rast të konstatimit të kushteve për zbatimin e ndalimeve të parashikuara nga ky ligj për kategoritë e tjera, përjashtuar Presidentin e Republikës, deputetët, anëtarët e Këshillit të Ministrave, kryetarët e bashkive dhe këshilltarët bashkiakë, organi kompetent sipas këtij ligji për verifikimin, shpall publikisht rezultatin e verifikimit. Në këtë rast, mandati apo funksioni përfundon menjëherë për shkak të ligjit.

2. Në rastin e organeve kushtetuese apo të krijuara me ligj, organi kompetent për verifikimin merr masa për publikimin e rezultatit të verifikimit dhe përfundimin e mandatit apo detyrës në numrin më të parë të Fletores Zyrtare.

3. Në rastet e ndryshme nga ato të parashikuara nga pika 2 e këtij neni, organi kompetent merr masa për njoftimin e personit të cilit i përfundon detyra dhe ndjek procedurat për zbatimin e masave të përcaktuara nga ky ligj.

Neni 14

Pezullimi i ushtrimit të funksioit publik dhe përfundimi i ushtrimit të funksionit publik

1. Dispozitat e këtij ligji zbatohen ndaj të gjitha kategorive të zyrtarëve të cilët në momentin e hyrjes në fuqi, mbajnë një mandat apo një detyrë publike sipas përcaktimeve të këtij ligji nëse faktet apo rrethant që përbëjnë kush për zbatimin e këtij ligji kanë ndodhur përpara marrjes së funksionit publik. Periudha e ndalimit është:

a) Për personat që parashikohen në shkronjën”a” dhe “b” të pikës 1 të nenit 2, 20 vjet nga momenti i kryerjes së dënimit me burg.

b) Për personat që parashikohen nga shkronja “c” e pikës 1 të nenit 2, 10 vjet nga momenti i kryerjes së dënimit me burg.

c) Për personat që parashikohen nga shkronja”ç” e pikës 1 të nenit 2, deri në momentin e rehabilitimit, sipas nenit 69 të Kodit Penal.

d) Për personat e parashikuar nga pika 3 e nenit 2, deri në momentin kur përfundon efektet kushti i parashikuar nga ajo dispozitë.

2. Fillimi i procedurës së verifikimit passjell menjëherë pezullimin e ushtrimit të detyrës nga personi për të cilin kryhet verifikimi. Gjatë periudhës së pezullimit, personit i njihet 70 përqind e pagës si dhe periudha e verifikimit njihet si vjetërsi pune.

3. Gjatë periudhës së verifikimit, në rastin e organeve kolegjiale, personi nuk llogaritet për efekt kuorumi për vlefshmërine e mbledhjes, vendimmarrjes apo formimin e çdo lloj shumice të nevojshme për vendimmarrje.

4. Periudha e pezullimit është 12 muaj nga momenti i fillimit të verifikimit. Në rastin e deputetëve dhe drejtuesve apo anëtarëve të institucioneve kushtetuese, pezullimi është 6 muaj. Përjashtim nga kjo dispozitë bëjnë anëtarët e Këshillit të Ministrave.

5. Pezullimi i pushon efektet e tij në fund të periudhës së përcaktuar nga kjo pikë apo kur shpallen rezultatet e verifikimit sipas këtij ligji. Në rast se për personin përkatës është e nevojshme kryerja e verifikimeve jashte Republikës së Shqipërisë dhe ky verifikim nuk është përfunduar deri në fun të afatit fillestar të pezullimit, pezullimi zgjatet automatikisht me 6 muaj të tjerë për të gjitha kategoritë e subjekteve të këtij ligji.

6. Organi epror, kur është e mundur, merr masa për zëvendësimin e përkohshëm të funksionarit të pezulluar.

Neni 15

Përdorimi i substancave narkotike

1. Përdorimi i substancave narkotike përbën kusht pengues për të mbajtur, për t’u zgjedhur apo për t’u emëruar në një nga funksionet publike të përaktuara në nenin 2 dhe 3 të këtij ligji.

2. Në fillim të çdo legjislature, përpara bërjes së betimit, çdo deputet është i detyruar të paraqisë pranë Kuvendit, një formular që përmban rezultatet laboratorike për përdorimin e substancave narkotike. Në rast plotësohen kushtet për ndalimin sipas këtij neni apo në rast refuzimi për t’iu nënshtruar testit, komisioni për verifikimin e vlefshmërisë së mandateve që ngrihet në fillim të sesionit, propozon mosdhënien nga Kuvendi të mandatit. Kuvendi merr vendim për refuzimin e mandatit.

3. Në rastin e funksioneve të tjera të parashikuara nga Kushtetuta, formulari me rezultatet e testit sipas këtij neni paraqitet përpara emërimit apo zgjedhjes nga organi përkatës. Në rast plotësohen kushtet për ndalimin sipas këtij neni apo në rast refuzimi për t’iu nënshtruar testit, organi i emërtesës refuzon kandidaturën kur verifikohen kushtet për zbatimin e ndalimit të parashikuar nga ky nen.

4. Analizat kryhen nën administrimin dhe mbikëqyrjen e strukturës së posacme pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Rregullat e detajtuara për kryerjen e analizave dhe forma e paraqitjes së tyre përcaktohet me udhëzim të Prokurorit të Përgjithshëm. Paraqitja e të dhënave të rreme apo të fallsifikuara përbën vepër penale në përputhje me nenin 190 të Kodit Penal.

5. Në rast refuzimi personi trajtohet sikur të ketë rezultuar përdorues i substancave narkotike.

Neni 16

Trajtimi i funksionarëve publik aktual

1. Funksionarët publik që janë subjekt i këtij ligji sipas neneve 2, 3 dhe 15, që janë aktualisht në detyrë, i nështrohen procesit të verifikimit për herë të parë të pastërtisë së figurës apo përdorimit të substancave narkotike, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit.

2. Funksionarët publik që janë subjekt i këtij ligji sipas neneve 2, 3 dhe 15, që janë aktualisht në detyrë, përmbushin detyrimet që rrjedhin nga ky ligj për herë të parë, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e tij.

3. Në rast refuzimi për të përmbushur detyrimet e parashikuara nga ky ligj lidhur me pastërtinë e figurës apo përdorimin e substancave narkotike, personi trajtohet sikur të ketë rezultuar në një nga rrethanat që përbën kusht për ndalim e zgjedhjes apo emërimit të tij në funksionin publik. Ndaj tij zbatohet masa e parashikuara në paragrafin 4 të këtij neni.

4. Nëse provohet se ekzistojnë rrethanat për ndalimin e zgjedhjes apo emërimit, zbatohen procedurat e nevojshme kushtetuese apo ligjore për mbarimin e mandatit apo shkarkimin nga detyra.

5. Në rastet kur organet e ngarkuara nga Kushtetuta apo ligji për konstatimin e mbarimit apo pavlefshmërisë së mandatit, ose shkakrimin nga detyra të funksionarit publik, nuk veprojnë brenda 10 ditëve nga përfundimi i rezultateve të verifikimit, me kërkesë të 1/5 së deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, cështja i përcillet për shqyrtim Gjykatës Kushtetutes, e cila vendos konstatimin e mbarimit apo pavlefshmërisë së mandatit, ose shkakrimin nga detyra të funksionarit publik, kur plotësohen kushtet dhe rrethanat sipas këtij ligji.

Neni 17

Dispozita të fundit

Ky ligj nuk ndikon në ndjekjen penale, gjykimin, dënimin dhe gjendjen gjyqësore të shtetasve. Kufizimet e vendosura nga ky ligj bëhen në përputhje me nenin 17 të Kushtetutës për një interes publik dhe nuk shuajnë thelbin e të drejtave dhe nuk përbëjnë dënim penal apo administrativ.

Dispozitat e këtij ligji janë të barazvlerëshme me dispozitat e Kodit Zgjedhor, ligjit për nëpunësin civil dhe ligjet që rregullojnë organizimin dhe funksionimin e organeve që përfshihen nga veprimi i këtij ligji. Në rast konflikti midis normave, dispozitat e këtij ligji kanë përparësi.

Aktet nënligjore për zbatimin e këtij ligji miratohen nga organet kompetente jo më vonë se 2 muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

Neni 18

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Miratuar më _____/_____/2015

KRYETARI

ILIR META

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...