Pas batutës për heqjen e fotografisë së Presidentit nga zyrat e institucioneve publike kur tha për Kryeministrin se “ky është gjest, nuk është punë”, Presidenti Nishani ka lëshuar një tjetër ironi të fortë ndaj kryeministrit Rama sonte gjatë intervistës me gazetarin Blendi Fevziu. Kur ky i fundit e pyeti Nishanin rreth një cinizmi të Ramës gjatë fjalimit të tij në mesditë për trafikun e drogës, Presidenti u përgjigj “ nuk e kam dëgjuar se kam qënë i zënë me punë reale”.
Presidenti e ka theksuar më se njëherë që qeveria duhet të bëjë punë dhe jo propogandë, që në ditët e para të saj. Duke mos ndërhyrë në punët e qeverisë ai ka gjetur momente për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik rreth këtij fakti. Edhe sonte gjeti një mënyrë dhe moment për ta theksuar nevojën e vendit që qeveria të bëjë punë reale.
Në vijim dialogu i Nishanit me gazetarin Fevziu:
Si janë raportet me Kryeministrin Rama?
Institucionale.
Sot ishte ironik me ju kur tha se Zagani u bë heroi i opozitës dhe për fat të keq edhe i kreut të shtetit?
Nuk e kam dëgjuar sepse kam qenë i zënë me punë reale, por jam njohur nga stafi i medias. Presidenti i Republikës për fat të keq është cilësuar dhe konsideruar si armik që në ditën e parë të punës. Kryeministri si institucion, si person, e ka cilësuar si armik politik. Gjithsesi të vijmë tek pyetja juaj. Zagani nuk është heroi im, heroi im është Ibrahim Basha. Zagani në gjykimin tim institucional duhet të ishte një dëshmitar i mbrojtur i drejtësisë sot.
Çdo të thotë kjo?
Që detyra e kryeministrit dhe institucioneve të tjera, duhet të kishin reaguar pas deponimeve që Zagani ka bërë, duhet ta kishin vënë në mbrojtje.
Ai i ka bërë këto deklarata pasi u largua nga arresti i shtëpisë?
Dëshmitarët e mbrojtur të drejtësisë merren edhe vrasës në interes të një krimi më të madh. Merren si dëshmitarë të mbrojtur për të zbuluar një ngjarje më të rëndë kriminale. Ai ka denoncuar se si kryet trafiku i drogës. Dhe unë kam kërkuar që këto akuza të hetohen dhe në momentin kur kryeministri e kërcënon, e shantazhin, një njeri që duhet t’i ofronte statusin e dëshmitarit të mbrojtur.
A është i përfshirë kryeministri në këtë përgjim?
Nuk besoj se është i përfshirë kryeministri.
Dyshoni?
Nëse do të kisha dyshime do t’i shprehja. Por flas për fakte dhe elemente që janë të faktuara.
Po kryeprokurori është i informuar për këtë?
Kam qenë i rezervuar edhe me institucionin e prokurorisë.
Ka pasur tension sërish me kryeministrin?
Jo, përveç deklaratave të bëra publike.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/











