Prokuroria e Vlorës ka vendosur sekuestro preventive, pas lejes së dhënë nga gjykata, për rreth 128 mijë metra katrorë sipërfaqe pyjore në zonën e Palasës, në Himarë, me vlerë mbi 280 mijë euro (sipas çmimeve aktuale publike), pasi janë krijuar dyshime të arsyeshme se është përfituar në bazë të dokumentave të fallsifikuara.
Nga hetimi i Prokurorisë së Vlorës rezulton se kjo sipërfaqe, e ndarë në disa parcela, është regjistruar nga ana e shtetasit Timoleo Dhimolea, në bazë të një akti të fallsifikuar të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP). Në bazë të veprimeve proceduriale, ka rezultuar se akti i AKKP nuk ekziston dhe është tërësisht i fallsifikuar. Gjithësesi, pavarësisht kësaj, kjo pronë është regjistruar në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë, në vitin 2012.
Më tej, pasi e ka regjistruar këtë pronë në emër të tij, shtetasi Dhimolea ka transferuar dy pjesë të saj, po në bazë të dokumentave të fallsifikuar. Nga veprimet hetimore, rezulton se shtetasi Dhimolea i ka transferuar 3000 m2 shtetasit R.D. dhe 2000 m2 shtetasit K.R. Edhe këta shtetas, në vijim të dokumentave të fallsifikuar, i kanë regjistruar këto prona në emrin e tyre në ZVRPP Vlorë.
Ndërkohë që po vijojnë hetimet për personat dhe zyrtarët e përfshirë në këtë fallsifikim, Prokuroria e Vlorë paraqiti në gjykatë kërkesën për sekuestron preventive e të gjithë sipërfaqes pyjore të regjistruar në emër të shtetasit Timoleo Dhimolea, si edhe për pasuritë e regjistruara në emër të shtetasve R.D dhe K.R., tek të cilët janë transferuar dy pjesë të pronësisë së Dhimoleas.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












