Ilir Meta ka kthyer përgjigje për akuzat e reja që e lidhin atë me skandalin e tenderit qindramilionësh DIA-CEZ. Një prej zyrtarëve të LSI dhe shef i kabinetit të kryetarit, Sokol Dervishaj, dikur edhe zëvëndësministër i Ekonomisë tha se po sqaron disa të vërteta të lidhura me cështjen në fjalë:
Qazim Tepshi, ishte negociatori mes Ismailaj dhe CEZ
Së pari, përsa i takon spekulimeve të ditës së sotme se mbi z. Ilir Meta, referuar deklaratave të ish-Drejtorit të CEZ-it në Shqipëri, ka një akuzë rezulton qartësisht e shprehur në dëshminë e z. Hejsek se palët e përfshira në këtë aferë, pra CEZ dhe DIA, janë prezantuar me njëra-tjetrën nga ish-Ambasadori i z. Berisha në Pragë, nga z. Tepshi dhe aspak nga z. Meta. Z. Hejsek dëshmon se së bashku me z. Ismailaj kanë takuar zyrtarë të lartë të ERE-s së asaj kohe kryesisht, përfshirë ish-Kryetarin e ERE-s, z. Nepravishta me të cilin kanë diskutuar mbi kushtet e marrëveshjes mes CEZ-it dhe DIA-s. Sipas po kësaj dëshmie rezulton se z. Berisha ka pasur njohje të hershme me personazhet në fjalë dhe takimet me zyrtarët e lartë të tij dhe të partisë së tij kanë qenë të shpeshta. Se kush janë këta zyrtarë Partia Demokratike e ka shumë të qartë, sepse i ka emëruar vetë.
Marrëveshja mes CEZ-it dhe “Clifford Chance” u lidh me 1 qershor 2013
Së dyti, raporti i studios ligjore “Clifford Chance”, i datës 30 qershor 2015, mbi çështjen në shqyrtim në Gjykatën e Arbitrazhit të Vjenës, midis CEZ Shpërndarje sha. dhe DIA ltd., në asnjë resht as nuk përmend dhe as nuk aludon për një përfshirje të z. Ilir Meta në një aferë në lidhje me çështjen në fjalë.
Për më tepër, i pyetur nga Avokati i Shtetit për të sqaruar këtë çështje për shkak të spekulimit në disa media sociale, të cilat pretendojnë se z. Ilir Meta ka ndikuar në lidhjen e kontratës midis CEZ dhe DIA, avokati përgjegjës për çështjen i studios “Clifford Chance”, z. Tim Schreiber deklaron zyrtarisht se ndryshe nga sa pretendohet nga disa gazetarë, emri i z. Meta as nuk përmendet e as nuk përfshihet në asnjë rast për përfshirje apo përfitime në këtë çështje. Kjo është bërë e ditur gjerësisht edhe në media.
Më duhet të sqaroj se CEZ dhe DIA e kanë lidhur marrëveshjen mes tyre më 1 shtator 2010, kohë gjatë së cilës z. Ilir Meta ka ushtruar funksione të tjera dhe nuk ka pasur asnjë lidhje me çështjen në fjalë.
Marrëveshja e përfaqësimit ligjor mes CEZ-it dhe “Clifford Chance”, një kompani e njohur për qeverinë dhe administratën e kohës së z. Berisha për shkak të disa marrëveshjeve të mëparshme mes saj dhe institucioneve të shtetit shqiptar, është lidhur më 1 qershor 2013 kur qeveriste ende Partia Demokratike, nga avokati Tim Schreiber, i cili ka bërë edhe deklarimin që unë sapo përmenda dhe Administratori i CEZ Shpërndarje, z. Sait Dollapi, i emëruar në këtë detyrë nga Bordi i ERE-s.
Meta pengoi në 2010 një vendim të ERE në disfavor të KESH
Së treti, përsa spekulohet në shkrimin e publikuar në disa media se më datë 7 dhjetor 2010, vetëm disa ditë pas disa pagesave të supozuara që CEZ kishte kryer në favor të DIA, ERE mori një vendim të çuditshëm duke ulur çmimin e energjisë që KESH-i i shiste CEZ-it në 1.48 lekë k/Ëh, duke dëmtuar rëndë financat dhe stabilitetin kompanisë. KESH sha, e cila është një kompani me kapital publik dhe me pronar të vetëm Ministrin e Ekonomisë, i cili për kohën kishte edhe tagrin e Ministrit të linjës, pra të Ministrit të Energjetikës dhe në atë kohë rezulton që Ministri përkatës ka qenë z. Meta, nëpërmjet KESH-it i kërkon ERE-s të rikonsiderojë edhe një herë këtë vendim për shkak të dëmit financiar që i shkaktohet KESH-it. Më datë 28 dhjetor 2010, ERE merr vendimin për të hedhur poshtë kërkesën e KESH-it, i cili këtë vendim të ERE-s e ankimon në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe atë të Apelit, të cilat gjithashtu e rrëzojnë kërkesën e KESH-it duke i dhënë të drejtë ERE-s për uljen e çmimit në 1.48 lekë k/Ëh.
Edhe në këtë rast, nëse realisht i beson aludimet, spekulimet apo akuzat, këto duhet t’i kërkojë gjetkë PD-ja dhe jo tek z. Ilir Meta, sepse gjatë kohës që ka ushtruar detyrën e Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, janë ndërmarrë të gjitha përpjekjet institucionale dhe ligjore që një vendim i tille i padrejtë dhe i dëmshëm dhe me pasoja të rënda për KESH-in të mos ndërmerrej. Partia Demokratike duhet t’i gjurmojë gjetkë këto afera, sepse ajo e ka shumë të qartë se cilët personazhe në radhët e saj kanë qenë të përfshirë në këtë aferë.
Ilir Meta ishte në Pragë dy herë, herën e dytë vizitoi CEZ dhe një central atomik
Së katërti, përsa i takon spekulimit se z. Ilir Meta ka qenë në një vizitë private në Pragë ku është takuar me përfaqësues të CEZ-it për të lobuar për DIA-n, e vërteta është krejt ndryshe. Gjatë periudhës së pretenduar z. Ilir Meta ka vizituar Pragën dy herë, gjatë datave 7-8-9 dhjetor 2009 me ftesë të Partisë Socialiste Evropiane, e cila zhvillonte Kongresin e saj në Pragë dhe nuk ka qenë vetëm z. meta nga Shqipëria në atë event. Gjatë kësaj vizite gjithashtu z. Meta në cilin e Ministrit të Punëve të Jashtme asokohe ka zhvilluar edhe një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Çekisë, z. Kohut, e cila është reflektuar gjerësisht edhe në mediat e kohës, të cilave në rast se do t’i referoheni do t’i keni aty. Të gjitha këto mund të vërtetohen pra lehtësisht.
Gjithashtu, z. Ilir Meta ka vizituar Pragën gjatë datave 29 nëntor-1 dhjetor 2010 vizitë gjatë së cilës është zhvilluar një takim pune me Ministrit Çek të Ekonomisë, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në qendrën e CEZ-it dhe ka diskutuar me bordin e CEZ-it mbi planin e investimeve që ata duhet të kryejnë në Shqipëri, dhe gjithashtu ka zhvilluar një vizitë në një central atomik të ndërtuar nga CEZ, dhe kjo në kuadër të politikës së kohës së qeverisë Berisha për Shqipërinë nukleare.
Në përfundim deklarata e Metës thotë:
– se akuzat ndaj tij janë një përpjekje e drejtuesve të rinj të Partisë Demokratike për të goditur pas shpine ish-kolegët e tyre dhe me këtë rast kërkojnë mesa duket që me një gur të vrasin dy zogj.
– zilia e PD-së ndaj rritjes së LSI-së, por kjo nuk është rruga e duhur për të bërë politikë.
-i bën thirrje PD-së të respektojë rregullat e lojës, t’i referohet fakteve dhe akteve dhe në rast se ajo ka ndonjë paqartësi mund t’i referohet njohjeve të saj të vjetra, qoftë njohjeve të saj ligjore sikurse është kompania në fjalë, pra studio që prezanton interesat e shtetit shqiptar, por qartësisht në të gjitha dokumentet rezulton e kundërta, ose të kërkojë këtë problem në radhët e saj, sepse realisht problemin e ka brenda vetes.
-Meta pranon nëpërmjet deklaratës se kjo është një aferë e madhe
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












