Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka tentuar të sqarojë sot “lidhur me çështjen e afatit të vlefshmërisë të pasaportave biometrike të lëshuara në periudhën prill 2009 deri në korrik 2010, për shtetasit e moshës nën moshën 16 vjeç në momentin e aplikimit…”.
Por më tepër se një sqarim, MPB ka pasur merak të përfitojë sadopak kapital politik, duke “i dhënë jetë”, një “furtune në një gotë uji”…, të ngritur nga Erion Braçe.
Një ditë më parë , gjatë një interviste për Top Channel, drejtoresha e sistemeve informatike në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile Miranda Harizaj e sqaroi shumë mirë situatën. Pak a shumë ajo tha për “gabimin teknik” te printimi i pasaportave 10 vjeçare për fëmijët nën 16 vjeç, nga 5 vjet që është ky afat. Ajo sqaroi edhe shtyrjen e aftit të vlefshmërisë për këto pasaporta, për një vit, nga 5 vjet në 6 vjet. Po të kemi parasysh se “gabimi teknik” daton prill 2009 – korrik 2010, duke llogaritur 5 vjeçarin e afatit, plus 1 vit shtyrje, pra 6 vjet, i bie që në prill të këtij viti deri në korrikun e vitit që vjen, të gjithë personat e pajisur me këto pasaporta, të marrin të rejat.
Kaq ishte problemi, i cili ka para një vit kohë për tu normalizuar.
Por, çuditërisht sot, pas “hedhjes së një guri në pus” nga Erion Braçe, reagoi edhe MPB-ja. Ndërsa Erionit i falet, sepse si deputet mund të thotë çfarëdo lloj papërgjegjshmërie, MPB-së, nuk dihet i falet apo jo…
Por ajo që është e sigurt që nuk i falet,është se në dekoratën e sotme MPB-ja fliste për një “periudhë prill 2009 – korrik 2010, në qeverisjen e kaluar”, dhe për “ardhjen e qeverisë së re në vjeshtën e vitit 2013”, a thua se bëhet fjalë për dy qeveri të vendeve të ndryshme, vetëm e vetëm se MPB dikur i thoshim thjesht MB (Ministria e Brendshme).
Dhe me deklaratën e sotme, MPB nuk ka dashur asgjë më shumë se sa të vërë në dukje këtë “dallim”…, se sa për të tjerat, zgjidhjet e pretenduara, ajo zhvlerësoi edhe sqarimet korrekte të një ditë më parë , të drejtoreshës së sistemeve informatike në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, Miranda Harizaj… Sepse veç masës së më se një viti më parë, për shtyrjen 1 vit të afatit të pasaportave për fëmijët deri në 16 vjet…, nuk ka marrë ndonjë tjetër masë…
Të thuash dhe numërosh masa, “njoftimin e shtetasve që preken nga ky problem që prej muajit gusht 2014″, më mirë të besosh se “MPB-ja ka marrë të gjithë masat e nevojshme për përballimin e kërkesave në rritje për pajisjen me pasaportë”, pavarësisht se në Fier zyrat e aplikimit nuk kanë drita apo në Vlorë rrihen me grushte për një pasaportë…
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












