Fluksi i refugjatëve është shqetësimi më i madh në këto momente për autoritetet gjermane. Të gjithë mendojnë se si ta ndalin. Por në qytezën Goslar në afërsi të Hanoverit, kërkohen sa më shumë prej tyre.
Është një ide e hedhur nga kryebashkiaku Oliver Junk. Sipas tij kjo është e vetmja mënyrë për të rigjallëruar qytezën qindra vjeçare, e ndodhur rrëzë malit Harc, nën mbrojtjen e UNESCO-s si trashëgimi botërore.
Qyteza e themeluar në shekullin e 10 ka 50 mijë banorë. Por dekadën e fundit po përballet me një krizë demografike. Për 10 vjet, prej andej janë larguar 4 mijë banorë. Sipas autoriteteve lokale, numri i popullsisë po ulet me ritme të shpejta me një mesatare prej 2 mijë banorësh më pak çdo vit. Të rinjtë largohen për një jetesë me më shumë perspektivë drejt qyteteve të mëdha. Në qytezë shumicë janë të moshuar.
Ndaj dhe për kryebashkiakun Junk që vjen nga rradhët e konservatorëve të kancelares Merkel, për të shmangur shndërrimin në një qytezë fantazmë, duhen sa më shumë refugjatë e emigrantë, që aktualisht i gjen me bollëk kudo nëpër Gjermani. Kështu sipas tij, gjallërohet jeta dhe ekonomia e qytezës.
Vitin e kaluar, vetëm 50 refugjatë nga vendet në krizë të Lindjes së Mesme, Azisë e Afrikës mbërritën në qytezë. 41 këtë vit.
Oferta e tij ka hasur në kundërshtinë e ekstremistëve të djathë të PEGIDA-s, të cilët thonë se qytetit i duhet perspektivë dhe jo refugjatë.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












