Policia ende vazhdon të fshehë vdekjen e një 32 vjecareje në një aksident që ka ndodhur në autostradën Kavajë-Rrogozhinë, 4 ditë më parë, duke shënuar një nda skandalet më të mëdha të ministrisë së Brendshme. Në këtë aksident u përfshinë dy mjete dhe një motoçikletë, ku mbeti e vdekur Bujana Bushi banuese në Tiranë me origjinë nga Vlora.
Por fshehja e vdekjes në aksident bëhet edhe më e rëndë ndërkohë që mësohet se asaj i janë grabitur 100 mijë euro, që Bujana, nënë e një fëmije 9 vjeç, e divorcuar, kishte në çantë. Para këto, me të cilat 32-vjeçarja do të blinte një shtëpi për veten e saj.
Policia e Kavajës e raportoi aksidentin si të lehtë dhe pa pasoja për personat e përfshirë në të. “Ka vetëm me një të plagosur lehtë dhe ky ishte drejtuesi i motoçikletës”, thuhej ne njoftimin e policisë. Për vajzën e aksidentuar me vdekje, policia nuk tha asnjë fjalë.
Një telefonatë e familjarëve në “komisariatin” e qytetarëve në hall, Neës 24 ka nxjerrë në dritë skandalin për të cilin ende hesht ministria e Brendshme.
Vëllai, xhaxhai dhe dajat e Bujana Bushit pohuan për televizionin se kanë tri ditë që po sorollaten në Komisariatin e Policisë së Kavajës për të mësuar se çfarë ka ndodhur. “Po kërkojmë sendet personale, që sipas traditës vajza do t’i merrte me vete në arkivol, por nuk po gjejmë asgjë”, thonë ata. Ata u shprehën se dyshojnë se vajza mund të jetë grabitur dhe vrarë.
Ndërkohë, burime nga policia e Kavajës bënë me dije se vajza ka qenë pasagjere në automjetin e biznesmenit K.T. nga Vlora, i cili njihet si R.A. Po dje, blutë pohuan se biznesmeni ka qenë shoferi i mjetit dhe se ai ka mbetur i plagosur (pra rezulton se në aksident janë plagosur dy persona dhe jo një siç u deklarua në fillim). Ai është duke u kuruar në spitalin e Durrësit, ku u dërgua së bashku me 32-vjeçaren pas aksidentit të ndodhur. Gjithashtu, burimet policore pohuan se K.T. është arrestuar për veprën penale “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”.
Deklarat e vëllait të Bujanës, Fisnik Bushi:
“Tri ditë më parë humbi jetën në aksident motra ime, ndaj dua të zbardhet e vërteta e kësaj ngjarjeje. Kjo për faktin se asnjë televizion nuk e dha këtë lajm. Dua të di pse u fsheh ky aksident, mos e kanë vrarë time motër? Pse nuk na treguan ku ndodhi, pse ndodhi, aksidenti? Kush e shkaktoi? Mos ishte grabitje, apo dhunim? Pse nuk na i dhanë sendet e saj personale? Pse nuk na japin çantën ku kishte më shumë se 100 mijë euro? E kisha lënë motrën në gjumë, pasi dola herët. Nga ora 12:00 e së enjtes më mori nëna në telefon që më tha që Bujana ka pësuar një aksident. Më dha numrin e infermieres së spitalit të Durrësit. Infermierja më tha hajde se motra të ka vdekur. Kur shkova, e gjeta motrën jashtë morgut. Atë e kishin futur në arkivol, e kishin veshur, gati për ta çuar në shtëpi. Kishin bërë biznes edhe me vdekjen e saj. Më kërkuan 1.5 milionë lekë të vjetra për të çuar motrën në shtëpi. Ndërsa pagova 50 mijë lekë të vjetra për rrobat që i kishin veshur. Rrobat e saj i kishin flakur. E vetmja gjë që kemi gjetur deri tani është vetëm një shapkë të motrës. Ata të morgut më dhanë vetëm një dokument, ku thuhej se shkak i vdekjes ishte aksidenti. Po jo vendi ku ndodhi aksidenti dhe çfarë e si ndodhi.
Më ka marrë një biznesmen nga Vlora e më ka thënë të hesht për këtë punë. Ai më ka thënë të mos bëj zhurmë, më ka kërcënuar. Siç duket është i lidhur me autorin e aksidentit dhe me policinë për të mbuluar faktet”.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/













