Koco Kokëdhima: Protesta e opozitës e drejtë, Shqipëria nuk bën zgjedhje të lira

Shares

Ish-deputeti i PS-së, Koço Kokëdhima u takua në Vlorë me simpatizantë të lëvizjes “ZGJIDHJA”. Kokëdhima theksoi se “ZGJIDHJA” bazohet tek anëtarët e PS-së dhe gjithe qytetarëve që i bashkohen kësaj lëvizje, anëtarësimet për të cilën pritet të përmbyllen brenda marsit. Gjatë një bisede me gazetarët ai foli edhe për protestën e opozitës në Tiranë.

Gazetari: Pra ju jeni pro protestës së opozitës?

Kokëdhima: Ne nuk e paragjykojmë protestën e opozitës për sa kohë ajo protestë mbetet paqësore. Prandaj edhe i kemi bërë thirrje Bashës që ta largojë retorikën e dhunës nga fjalimet e tij politike. Ashtu siç e kemi ftuar atë që të vazhdojë veprimtarinë dhe debatin politik në Parlament. Shqetësimi i çdo partie politike dhe i çdo qytetari të Shqipërisë për zgjedhjet, është një shqetësim real dhe i bazuar. Shqipëria nuk bën zgjedhje të lira, të ndershme dhe të barabarta. Dhe zgjedhjet e 18 qershorit nuk mund të jenë të lira, të ndershme dhe të barabarta. Do të jenë zgjedhje të molepsura dhe zgjedhje të ndotura, siç kanë zgjedhjet e tjera në Shqipëri. Në qoftë se ne sot nuk kemi një shtet të së drejtës në Shqipëri dhe një shtet ligjor, nuk e kemi këtë shtet për arsye se nuk bëjmë zgjedhje të ndershme, të drejta dhe të lira.

Gazetari: Ju do të ishit dakord me ngritjen e një qeverie teknike për zgjedhjet e 18 qershorit?

Kokëdhima: Unë them kështu që ka ardhur koha dhe momenti që drejtuesit e lartë të politikës së Shqipërisë, kryesisht dy partitë e mëdha, të kuptojnë që nuk përfitojnë dot më duke vjedhur vota në Shqipëri. Partia Demokratike e mbolli kulturën e vjedhjes së zgjedhjeve në Shqipëri në vitet ’94-’96. Ndërsa Partia Socialiste nuk u distancua prerazi nga kjo kulturë. Dhe të dy palët e rafinuan një sistem të manipulimit të zgjedhjeve në Shqipëri që vazhdon edhe sot. E kanë defaktorizuar popullin duke manipuluar zgjedhjet. E kanë lodhur këtë popull, ja kanë vrarë nervin, ja kanë vrarë aftësinë për të reaguar, e kanë nënshtruar, e kanë shkelur, e kanë përbuzur dhe e kanë vjedhur. E sot Shqipëria ndodhet në një situatë që, në qoftë se vazhdon të neglizhojë nevojën e një reforme për të pastruar thelbësisht dhe përfundimisht zgjedhjet, rrezikon të shkojë në një krizë ndoshta në krizën më të rëndë pas ’97-s. Ne duhet të bëjmë patjetër pastrimin e zgjedhjeve. E në këtë çështje dua të ftoj edhe njëherë edhe qeverinë, edhe opozitën, që të mos bëjnë më lojëra. Të mos vazhdojnë me lojërat e tyre të pandershme ndaj popullit tonë dhe ndaj zgjedhjeve. Reforma zgjedhore duhet të bëhet e plotë. Nuk nevojiten vetëm votim dhe numërim elektronik në kuti në qendrat e votimit, por nevojiten votim elektronik dhe numërim elektronik në qendrat e votimit dhe zëvendësimin e administratës zgjedhore dypartiake, me një administratë zgjedhore të paanshme, me një administratë zgjedhore shtetërore. Duhet të marrë fund kjo histori, kur dy partitë e mëdha numërojnë dhe vjedhin votat e partive të vogla dhe partive konkurrente të tyre.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...