Gjykata e Elbasanit ka vendosur të pranojë kërkesën e Prokurorisë dhe ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Zëvendës Shefin e Komisariatit të Policisë Elbasan, Abaz Lala, i dyshuar se ka konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
Në bazë të vendimit të gjykatës, shtetasi Lala, i cili mban gradën “Komisar” është arrestuar mesditën e së mërkurës nga ana e forcave të Shërbimit të Çështjeve të Brendshme të Ministrisë së Brendshme.
Ndërkohë, po me kërkesë të Prokurorisë së Elbasanit, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “pezullim nga detyra” për shtetasin Fatjon Susaj, me funksion oficer i policisë gjyqësore pranë Komisariatit të Policisë Elbasan, i akuzuar për “shpërdorim detyre”, pasi, nga hetimet paraprake, dyshohet se, nën urdhrat e zëvendësshefit të Komisariatit, nuk ka raportuar raste të shkeljeve të ligjit.
Në bazë të hetimeve proaktive të deritanishme, të kryera nga Prokuroria e Elbasanit, në bazë të informacionit paraprake të përcjellë nga Shërbimin për Çështje të Brendshme dhe Ankesa në Ministrinë e Brendshme, veçohen tre situata, për të cilat janë ngritur dyshimet e arsyeshme lidhur me konsumimin e elementëve të veprës penale “shpërdorimi i detyrës”;

– Gjithashtu shtetasi Abaz Lala, megjithëse me detyrën e zëvendësshefit të Komisariatit të Policisë Elbasan, ushtron veprimtari private në kundërshtim me kuadrin ligjor rregullues në fushën tregtare, të legjislacionit tatimor dhe atij që rregullon funksionin e policisë se shtetit. Vëllai i tij Astrit Lala, rezulton të ketë të regjistruar një aktivitet Bar Kafe, të ndodhur në Lagja “Kongresi Elbasanit” Elbasan, lokal i cili në fakt, menaxhohet nga vetë shtetasi Abaz Lala. Ky i fundit duke përdorur pushtetin e tij, në sajë të detyrës si zëvendësshef i komisariatit të Policisë Elbasan dhe shef i seksioneve të krimeve, i shmanget detyrimeve tatimore, nuk siguron të punësuarit në lokal, fsheh të ardhurat dhe nuk paguan taksat dhe tatimet, nëpërmjet manipulimit të të dhënave mbi të ardhurat e realizuara.
– Gjithashtu shtetasi Abaz Lala, dyshohet se favorizon subjekte të ndryshme në aktivitetin e lojërave të fatit, aktivitet i cili kryhet në kundërshtim me ligjin. Ai kërkon dhe merr nga këto subjekte shuma të konsiderueshme parash, në këmbim të mosraportimit të tyre. Nga të dhënat rezulton se kjo veprimtari kriminale, ka një shtrirje kohore të gjatë dhe është e mirë-organizuar nga funksionari i policisë së shtetit.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












