Kryetari i Kuvendit dhe Kryetari i LSI-së, Ilir Meta përshëndet dhe vlerëson Raportin e sapo publikuar të Departamentit të Shtetit të SHBA për Trafikimin e Personave, në të cilin vlerësohet përparimi i angazhimit dhe përpjekjeve të Qeverisë Shqiptare në luftën e vazhdueshme ndaj këtij fenomeni dhe aktiviteti kriminal.
Meta shpreh bindjen se Raporti përfaqëson një platformë të rëndësishme dhe nxitje pozitive për punën e strukturave të specializuara të shtetit që përballen me këtë fenomen, në zbatimin e plotë të ligjit, zhvillimin e programeve sociale për parandalimin, mbrojtjen dhe rehabilitimit të viktimave të trafikut, parandalimin e shfaqjes së tij, si dhe goditjen dhe ndëshkimin ligjor dhe pa asnjë kompromis të të gjithë të inkriminuarve që kanë përfituar apo tentojnë të përfitojnë nga kjo veprimtari kriminale.
Meta, në frymën që përçon ky Raport, njëkohësisht apelon dhe kërkon nga të gjitha strukturat e zbatimit të ligjit që në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë, të rrisin nivelin e profesionalizmit dhe të luftojnë pa asnjë kompromis, si dhe të çojnë përpara drejtësisë të gjithë të inkriminuarit e përfshirë në veprimtari të paligjshme të trafiqeve të çdo lloji.
Meta gjithashtu vlerëson se lufta e pandërprerë ndaj krimit dhe korrupsionit është një sfidë e rëndësishme që kërkon modernizimin e shtetit, përkushtim, profesionalizëm, transparencë dhe mbështet procesin e dekriminalizimit përmes rritjes së standardeve ligjore për të gjithë përfaqësuesit publik të zgjedhur apo të emëruar.
Ndërkohë nga ana e qeverisë, apo edhe nga Ministria e Brendshme, nuk ka ende një reagim për Raportin e DASH, për trafiqet e qenieve njerëzore.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












