Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar sot në prokurori ish-drejtorin e Qytet Studentit, Bujar Brovina si dhe ish-zëvendësdrejtorin e këtij institucioni.
Nga auditimi i kryer në “Rezidencën Studentore Universitare nr.1” sha, Tiranë, Brovinës iu gjetën shkelje dhe parregullsi në dokumente. Më konkretisht, në dosjen e KLSH citohen parregullsi në në lidhje me mungesën e dokumentacioni ligjor të kontratave të lidhura për objektet e dhëna me qira, mosllogaritjes dhe mosderdhjes së detyrimeve për objektet e dhëna me qira në buxhetin e shtetit, moskryerjes siç duhet të procedurave të prokurimit, si dhe shkaktimit të shpenzimeve të tepërta gjyqësore si pasojë e mosndjekjes së proceseve gjyqësore.
Auditimi i KLSH konkludoi se për shkeljet e mësipërme ekzistonin elementë të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Në lidhje me shkeljet e konstatuara, është rekomanduar dhënia e masës disiplinore edhe ndaj 4 punonjësve të tjerë të administratës, duke kërkuar njëkohësisht edhe shpërblimin e dëmeve ekonomike të konstatuara në vlerën totale prej 20,790,000 lekë.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












