Tenderi për uniformat e policisë ende nuk ka përfunduar dhe deri atëherë efektivët do duhet t’i kapin autorët me uniformë të “marrë borxh”. Ky është realiteti që punonjësit e policisë duhet ta përballojnë çdo ditë, ndërkohë që në salla të ndryshme prezantohen projekte për dixhitalizimin e policisë apo edhe për pajisjen e tyre me kamera në trup, raporton “Gazeta Shqiptare”.
Të njëjtin problem e kanë shumë efektivë të tjerë, të cilët shprehen se edhe materiali i uniformave është shumë i keq dhe aspak i përshtatshëm për t’u mbajtur veshur për 8 apo 12 orë shërbim.
Ndërkohë, vetëm pak kohë më parë, policëve iu shpërndanë disa radio të reja, të cilat në fillim u dukën se do zgjidhnin problemin e mungesës së mjeteve logjistike për kryerjen e punës së përditshme të policit. Por, pa u bërë akoma një vit nga marrja e radiove të reja, edhe ato dolën me probleme, sepse shumë prej tyre nuk punojnë apo i kapin sinjalet me vështirësi duke bërë që në shumë raste punonjësit e policisë të mos koordinohen siç duhet mes tyre. Për të mos folur pastaj për faktin që shumë policë vazhdojnë të punojnë akoma në terren pa qenë të pajisur me radio dhe në shumë raste efektivët nuk lajmërohen në kohë për ngjarjen që mund të ketë ndodhur.
Orët e papaguara të natës problem më vete
Lekët e orëve të natës apo ato të orëve shtesë që policët janë të detyruar për të bërë gjatë shërbimit të tyre, duket se janë kthyer në një gangrenë për efektivët. Kjo, pasi kanë qenë të shpeshta rastet kur punonjësit e uniformave blu nuk kanë marrë prej kohësh paratë e orëve shtesë dhe ato të orëve të natës, apo edhe kur nuk i marrin në kohën e premtuar.
Përballë këtyre problemeve, efektivëve iu është premtuar që nga vjeshta e këtij viti do të pajisen me kamera në trup, të cilat do të monitorojnë çdo sjellje apo veprim të tyre përballë qytetarëve. Vetë efektivët nuk janë kundër këtij projekti, por ata duan që problemet të zgjidhen me radhë, duke nisur nga mungesat më minimale që ka policia, për të vijuar më tej me procesin e dixhitalizimit të policisë.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












