Sa e lirë vdekja në Shqipëri, edhe një oficer belg mund ta “blejë”

Shares

Në Shqipëri mund të “vdesësh” shumë lehtë. Një mjek shqiptar, identiteti i të cilit ende nuk dihet, një vit më parë i ka dhënë certifikatë false vdekje një ish-hetuesi të policisë gjyqësore. Ish-oficeri e inskenoi vdekjen për të shmangur dënimin e mundshëm nga drejtësia belge e cila kishte nisur ndaj tij hetimin për pastrim parash dhe aktivitete kriminale.
Guido V. L. 52-vjeç, i cili ishte arratisur drejt Shqipërisë, kishte mundur që në bashkëpunim me mjekun shqiptar të siguronte certifikatën e tij të vdekjes. Sipas mediave Nieuësblad.be dhe HLN.be, Filomena V.H nëna e moshuar e ish-oficerit i ka dorëzuar autoriteteve belge certifikatën e falsifikuar dhe në këto kushte hetimet u ndërprenë e çështja u pushua.

Si u zbulua skema e mashtrimit
Duket se pasi është siguruar që çështjet e tij me drejtësinë janë mbyllur, belgu është rikthyer në vendin e tij. Por plani dështoi shumë shpejt për shkak se një koleg e njohu ish-agjentin në një kafe në qytetin Antverp dhe 52-vjeçari u arrestua nga ish- kolegët e tij.
Sipas mediave belge, pas prangosjes Guido V. L. pranoi se kish inskenuar vdekjen e tij në Shqipëri duke falsifikuar dokumentet me ndihmën e mjekut. Për këtë Gjykata e dënoi me një vit burg dhe me gjobë prej 500 euro. Nëna e tij u shpall e pafajshme nga gjykata, ndërsa një person i tretë i përfshirë i dyshuar si ndërmjetës po ashtu u shpall i pafajshëm. Gjatë vendimit, gjykatësi ka bërë edhe një batutë:  Është turp që ju keni përfshirë nënën tuaj të moshuar në këtë falsifikim

Akuzat belge për ish-oficerin
Guido ish dënuar edhe më parë nga drejtësia belge. Në vitin 2007, ish-agjenti u dënua me 3 vjet burg për dy vepra penale, mashtrim dhe trafik droge. Bashkë me një ish-koleg, Guido V. L. kish themeluar një qendër parashkollore, por në fakt kopshtet dhe çerdhet rezultonin vetëm në letra. Në ndërtesën në fjalë policia pas kontrollit zbuloi se përdorej për grumbullimin e kanabisit. Pas përfundimit të dënimit për këtë veprimtari kriminale, ndaj Guidos nisi një tjetër hetim, këtë radhe për pastrim parash.
Sipas hetuesve belg, ai kishte marrë kredi me dokumente dhe pasaporta të rreme, kredi të cilat nuk janë shlyer. Për të shmangur hetimet dhe më pas dënimit nga organet e drejtësisë, ish-oficeri u largua nga vendi i tij drejt Evropës Lindore dhe më pas ka qëndruar disa kohe në Shqipëri. Këtu ai gjeti si rrugëzgjidhje certifikatën e vet të vdekjes.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...