Corriere della Sera: Shqipëria prodhuesja e marijuanës – Lombardia tregu i artë

Shares

Rajoni i Lombardisë në Itali konfirmohet si tregu i artë për prodhuesit e trafikantët e drogës.
Ky fakt është konfirmuar sot nga e përditshmja prestigjioze italiane “Corriere della Sera”, e cila në artikullin “Narkotrafikatët, Lombardia e para për sekuestrimin e heroinës“, merr në analizë raportin mes Shqipërisë e rajonit të Lombardisë në trafikimin e lëndëve narkotike.
Duke u bazuar në ngjarjet dy viteve të fundit e në veçanti në sekuestrimin pak ditë më parë të avionit në Torino, i cili transportonte lëndë narkotike nga Shqipëria, si dhe në arrestimin në Shqipëri më 2014 të pilotit italian Giorgio Riformato, rezident po në rajonin e Lombardisë, i cili transportonte drogë nga Shqipëria drejt Italisë, dy gazetarët e këtij artikulli pohojnë se drejtësia italiane vazhdon të hetoj mbi lidhjet mes Shqipërisë si një vend prodhues i madh i drogës e Lombardisë si një treg i artë i shitjes së saj.
Janë dy sipërmarrës italianë me origjinë nga Lombardia, në dy raste të ndryshme që vihen në dispozicion për të transportuar drogë.
Sipërmarrësi Pasquale D’Ambrossio 58 vjec nga Angera (Varese) deri tre ditë më parë njihej në zonë vetëm për stabilimentin bregdetar “La Noce”, me plazhin, restorantin e lounge-bar e tij.
E asgjë më shumë, veç rastit të një lidhje abuzive elektrike në një piceri që kishte dikur në Lago Maggiore në Angera e që i kushtoi një denoncim nga ana e policisë lokale. Hapte e mbyllte lokale sa herë i ecte puna mirë. E klientëve të tij u përsëriste shpesh “Nëse dua marr avionin e shkoj e pi një kafe në Leçe.”
Por në të vërtetë në Puglia sipas Policisë së Torinos shkonte vërtetë me avionin e vogël, por për të transportuar marijuanë të kultivuar në Shqipëri.
Figura e çuditshme e deri dje në hije e D’ Ambrosios, i arrestuar më 7 shtator në pistën Gattinara në Vercelli, është rasti i dytë i një sipërmarrësi lombard që si në Kolumbi, është vënë në dispozicion për të transportuar drogë, duke iu fshehur radarëve e kontrollit doganor të rrugëve turistike.
Sipërmarrësi i parë qe më 2014 Giorgio Riformato, pilot avioni në komunën Luino në Lombardi, i arrestuar në bordi e avionit të tij, pas një ulje emergjence në një zonë rreth 80 km larg Tiranës. Pak më larg u zbuluan 460 kg marijuanë, që kishin lidhje me të.
Riformato ishte i hetuar në provincën e Varezes për mashtrim, një ngjarje e dyshimtë mbi disa kurse fluturimi, ndërsa më 2007 deklaronte nëpër gazetat lokale idenë e tij për ndërtimin e një aeroporti të vogël në Luino, kryesisht për turizëm. Tani ai gjendet në burg në Tiranë, ku është kryer dhe seanca e parë e procesit të tij gjyqësor.

Shqipëria prodhuesja e drogës – Lombardia tregu i artë
Ndërkohë autoritetet vazhdojnë të hetojnë se pse nëse Shqipëria është një prodhues i madh i drogës, Lombardia është një nga tregjet e arta.
Gjatë vitit 2014 Lombardia është vendi i parë në Itali për sekuestrimin e heroinës, me rreth 300 kg, në vendin e dytë në sekuestrimin e kokainës me rreth 700 kg, pas Kalabrisë me rreth 1400 kg, e po në vendin e dytë në sekuestrimin e marijuanës me rreth 4000 kg, pas rajonit të Sicilisë me rreth 8000 kg .

Tre pistat e hetimit
Në frontin shqiptar, autoritetet po hetojnë në tre drejtime.
“I pari është për të kuptuar se kush janë aktorët kryesor të trafikimit të lëndës narkotike nga Jugu i Italisë drejt Lombardisë, (lëndë narkotike e importuar nga Shqipëria në jug të vendit).
Drejtimi i dytë për të qartësuar rolin e lidhjet e ish shefit të antidrogës së qytetit të Fierit Dritan Zagani, i fshehur prej disa ditësh e nën hetim me akuzën se ka konspiruar operacionet antidrogë të njerëzve të tij.
Drejtimi i tretë për të vërtetuar besueshmërinë e akuzave të Dritan Zaganit ndaj ministrit të brendshëm Saimir Tahiri, sipas të cilave disa të afërm të tij janë përfshirë në trafikun e lëndëve narktotike duke përdorur madje një makinë në pronësi të vetë ministrit. Nga ana e tij ministri është paraqitur në prokurori për të dhënë versionin e fakteve” shkruajnë gazetarët Leonard Berberi e Roberto Rotondo
E përditshmja “Corriere della sera” konfirmon se për Prokurorinë Italiane mes Shqipërisë e Italisë nuk ekziston një rrjet i vërtetë kriminal, por qytetarë shqiptarë që herë pas herë përfshijnë nënshtetas italianë me licencë fluturimi për të transportuar hashash në anën tjetër të Adriatikut.
Ndërsa hetimet në Shqipëri zbulojnë se mes qyteteve në Bari e Brindizi, ekzistojnë pista të fshehura të përdorura nga avionët e lehtë për t’u ulur, furnizuar e për tu ngritur drejt Veriut të Italisë, apo nga Veriu i Italisë drejt Shqipërisë.
“Pra një trafik i paligjshëm që vazhdon të zgjeroj qëllimin e aktivitetit të tij”, përfundon artikulli.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...