Ministria e Jashtme nuk respekton dekretin e Presidentin të Republikës për lirimet nga detyra të ambasadorëve shqiptarë.
Rasti më tipik është ai i Ambasadorit të Shqipërisë në Japoni, Bujar Dida.
Pas propozimit të vetë Ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, për lirimin nga detyra si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Japoni, ka ardhur dhe dekreti i Presidentit të Republikës Nishani, që e zyrtarizon largimin e tij nga misioni në Tokio.
Por, që prej dekretimit nga Presidenti Nishani për lirimin nga detyra të Ambasadorit Dida, në datën 26 Mars 2015, e gjerë më sot, asgjë nuk ka ndryshuar, pasi ky i fundit vazhdon të qëndrojë në krye të misionit diplomatik në Japoni.
Nga Ministria e Jashtme nuk është propozuar ende një kandidaturë tjetër për të marrë drejtimin e Ambasadës tonë në Tokio, duke lënë në detyrë Ambasadorin tashmë të liruar edhe me dekret të Presidentit të Republikës.
Nga Ministria e Jashtme nuk ka asnjë sqarim se përse nuk është marrë nisma për të propozuar emrin e ri të kandidatit si ambasador në Japoni, madje edhe vetë Ministri Bushati vizitën e tij zyrtare në Tokio gjatë muajit Prill të këtij viti, e ka bërë i shoqëruar nga Ambasadori i larguar me dekret.
Japonia është një shtet që ka treguar interes në rritjen e marrëdhënieve, jo vetëm diplomatike me Shqipërinë, por edhe në fushën e investimeve këtu dhe mungesa e seriozitetit në përfaqësimin diplomatik të Shqipërisë në Tokio, nuk i shërben këtij forcimi marrëdhëniesh.
Nga Zyra e Presidentit të Republikës, mësojmë se ata shprehen të gatshëm për të mirëpritur dhe shqyrtuar kandidaturën e qeverisë për kreun e misionit diplomatik në Japoni, ashtu si edhe për kandidaturat e tjera, atje ku përfaqësimi në rang ambasadori mungon ende.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












