RAPORTI OSBE-së/ Ja si e komentojnë deputetët biznesmenë të përfolur nga e djathta

Shares

Raporti konfidencial i OSBE-së që u publikua tri ditë më parë ka ngjallur reagimet e deputetëve të opozitës, të cilët përfliten si biznesmenë dhe për lidhje të tyre me krimin e organizuar. Të kontaktuar nga gazeta “Shqip”, tre deputetët e Partisë Demokratike: Roland Keta, Kozma Dashi, Bedri Hoxha dhe Agron Duka nga Partia Republikane, mohojnë çdo implikim të tyrin në veprimtari kriminale ose të jashtëligjshme, duke e cilësuar raportin si fyes dhe të pabazuar në asnjë fakt.

Roland Keta: Unë jam për dekriminalizimin e Parlamentit, por jo që të fyhen intelektualët
Sipas raportit të OSBE-së, deputeti demokrat i Qarkut të Dibrës rezulton se është një nga bosët lokalë të minierave në Bulqizë, i cili ka shfrytëzuar postin e tij si kryetar i Bashkisë së Bulqizës dhe kryetar i degës së PD-së për të marrë dhe për të shitur licenca të shumta. Por, në prononcimin e tij, Keta mohon implikimin e tij në këto afera, pasi siç thotë ai, pavarësisht se ka qenë kryetar bashkie në Bulqizë, ai s’ka pasur asnjë kompetencë lidhur me menaxhimin dhe monitorimin e aktivitetit minerar, pasi që prej vitit 2000 këtë kompetencë e ka Ministria e Ekonomisë.
“Sa u përket akuzave që trajtohen në atë raport, kjo s’ka lidhje fare me kryetarin e bashkisë, pasi aty akuzohem se kam dhënë leje minerare në kohën që isha kryebashkiak. Ligji vendor i vitit 2000 nuk ka asnjë nen që të theksojë se kryetari i bashkisë ka kompetenca për monitorimin dhe menaxhimin e aktivitetit minerar, pasi është vetë Ministria e Ekonomisë që menaxhon dhe jep leje minerare. Një akuzë tjetër që bëhet ndaj meje, është ajo e biznesmenit dhe kjo s’është aspak e vërtetë, dhe vërtetohet në QKR. Unë kam një pjesëtar të familjes, që është vëllai im. Është inxhinier-gjeolog, një biznesmen i suksesshëm, që çdo gjë e ka kryer sipas ligjit”, tha Keta.
Teksa shpreh shqetësimin e tij mbi këtë raport, deputeti demokrat akuzon OSBE-në si fajtore të publikimit të një raporti që s’përmban asnjë fakt për çdo gjë që është shkruar.
“Megjithëse nga OSBE-ja u përgënjeshtrua ky raport, nuk më vjen mirë që një institucion ndërkombëtar nga një anë nxjerr një lajm dhe nga ana tjetër e përgënjeshtron, duke thënë që këto janë fjalë. Normalisht që jo vetëm OSBE-ja, por cilido institucion që të jetë nuk mund të raportojë gjëra të tilla, pa i faktuar dhe pa nxjerrë fakte për ato që raportojnë. Gjithsesi, këtë shqetësim do ta shpreh edhe në seancën e ardhshme plenare. Unë jam për dekriminalizimin e Parlamentit, por jo që të fyhen intelektualët”, tha Roland Keta.

Agron Duka: Vetëm raport nuk është ai. Këto janë budallallëqe
Deputeti republikan i Durrësit, Agron Duka, i përfolur për bizneset e tij, shprehet me jo pak ironi ndaj raportit të OSBE-së, i cili sipas tij, vetëm raport nuk është.
“Po çfarë raporti është ai. Ndër 700 grupe kriminale që kanë nxjerrë, unë regjistrohem me pistoletë në xhep. Vetëm raport nuk është ai. E kanë shumë të vështirë në fakt për ta gjetur se çfarë krimineli jam unë dhe kapin një në rrugë dhe e pyesin: si është ky Gon Duka? Dhe ai i thotë se ky është shumë i rrezikshëm. Po këto janë budallallëqe. Unë s’di të shtie me armë, edhe kur isha në zbor dikur dhe kur bënim qitje, përherë jashtë tabelës dilnin gjuajtjet. Unë s’e mora vesh njëherë se çfarë raporti ishte ky, po nejse”, u shpreh Agron Duka.

Bedri Hoxha: Po të kisha aksionet do ta kisha ndarë përgjysmë me ata të OSBE-së
Deputeti tjetër demokrat, Bedri Hoxha, shprehet i habitur për përfshirjen e emrit të tij në listën e deputetëve që bëjnë pjesë në raportin e OSBE-së. Hoxha tha se, edhe pse përmendet emri i tij, nuk ka asnjë fjali të shkruar për të në raport.
“Unë nuk e di çfarë të them, se në të gjithë ato shënime që bëheshin aty për të tjerët, për emrin tim s’kishte asnjë rresht të shkruar. Unë s’di se kush e ka futur emrin tim aty. Unë s’kam asnjë lloj lidhjeje aty, pasi kam që nga viti 2003 e deri më sot, kam punuar në shtet, që i bie që në këto 12 vjet unë s’jam marrë kurrë me biznes. Këta më ngatërrojnë me vëllanë tim, Gani Hoxha, quhet. Ka qenë dhe ai deputet përpara meje, dhe Ganiu është biznesmen për hir të së vërtetës që në vitin 1992, por unë s’kam pasur asnjëherë asnjë lloj aktiviteti. Para vitit 2003 kam punuar me vëllanë, kam qenë pjesë e kompanisë së tij, por unë s’kam asnjë lloj aksioni aty, pasi po të kisha do ta kisha ndarë përgjysmë me ata të OSBE-së. Çfarëdo lloj biznesi që do të kisha unë, patjetër që OSBE-në do ta kisha ortak. Në të vërtetë, po t’i verifikosh të gjitha të dhënat e mia, nga 2003 e deri më sot kam një deklaratë pasurie që është e regjistruar në shtet. Para 2003-it kam punuar me vëllanë tim, por i gjithë aktiviteti ka qenë i tiji. Dhe kjo është arsyeja që nuk ka asnjë fjali për mua në atë raport, pasi s’kanë çfarë të shkruajnë, dhe s’e kuptoj ç’ka dashur emri im në atë listë. Mua më vjen keq se në atë listë janë disa injorantë me 4 klasë shkollë që janë bërë miliarderë dhe ky është handikapi në Shqipëri. Por përtej kësaj, unë jam votuar katër herë në atë zonë për zgjedhje, si vendore ashtu edhe parlamentare, po t’i shtojmë dhe mandatin e vëllait, i bie që ne si familje jemi votuar 5 herë, dhe po të ishim marrë me punë të pista, si do ishim votuar? Nuk kemi humbur asnjë palë zgjedhje në këtë zonë që nga viti 2003, dhe që i kam drejtuar unë. Po të kishim qenë njerëz pa vlera, të inkriminuar, njerëz të përfshirë në afera, nuk do të kishin dashur të na shikojnë me sy, jo më të na votojnë, pasi njerëzit të dinë dhe lugët e shtëpisë. Mua më bëri përshtypje se emri im në atë listë ishte futur ditën e dytë që u publikua raporti, por asnjë rresht nuk është shkruar aty, vetëm është përmendur emri dhe kaq. Nuk reagova as në ‘Facebook’, pasi e konsiderova si histori me zhurmues”, tha deputeti i PD-së, Bedri Hoxha.

Kozma Dashi: Nuk bëhet dot asnjë koment për diçka që s’ka asnjë koment
Deputeti tjetër demokrat, Kozma Dashi, e cilëson raportin e OSBE-së dhe përfshirjen e tij në listën e deputetëve biznesmenë si një pasqyrim të CV-së së tij të publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë.
“Ideja është se s’ka asgjë për mua në atë raport, sepse është fare e thjeshtë: po të klikosh në internet, dhe të shikosh CV-në time në Parlament çdo gjë është shumë e qartë. Aty janë të përshkruara të gjitha aktivitetet e mia, nga ’92-shi kanë dalë provat e deri në 2013-n. Pra në rastin tim, nuk është një interpretim i imi. Ajo që është paraqitur atje është pasqyruar në raport dhe asgjë më shumë e asgjë më pak. Pra, e thënë shkurt, nuk bëhet dot asnjë koment për diçka që s’ka asnjë koment”, tha deputeti Kozma Dashi.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...