Senati i Partisë “Lëvizja e Legalitetit” pas një mbledhje të zhvilluar sot ka përjashtuar ish- kryetarin e kësaj Partie, Ekrem Spahiu. Shkak për shkarkimin, siç thuhet në një deklaratë të PLL-së është bere një konference e tij më datë 5 shtator 2015, me anë të cilës kishte si qëllim që të dëmtonte imazhin e PLL dhe të krijojnë idenë e përçarjes brenda saj.
Spahiu shkarkohet me motivacionin “Për shkelje të rënda politike që dëmtojnë rëndë imazhin e partisë Lëvizja e Legalitetit”.
DEKLARATA E PLOTE
“Duke marrë parasysh se z. Ekrem Spahiu ka ndërmarrë një lëvizje destabilizuese të Partisë ‘Lëvizja e Legalitetit’ që u pasqyrua me një konferencë për shtyp më datë 5 shtator 2015, organet drejtuese të PLL kanë analizuar situatën e krijuar dhe kanë konkluduar se këto veprime janë jo-statutore, aventureske, dashakeqëse dhe me synim çorientimin e legalistëve dhe opinionit publik.
Në këto kushte, Senati i PLL, si organi suprem që garanton zbatimin e vijës politike dhe idealit zogist, por edhe si organi kompetent që sipas Statutit të PLL gëzon në mënyrë ekskluzive të drejtën e dhënies së masave disiplinore për anëtarët e PLL, më datë 18 Shtator 2015 zhvilloi një mbledhje të posaçme ku pasi analizoi me hollësi situatën e krijuar, doli me konkluzionet e veta dhe mori vendimet përkatëse. Në mënyrë unanime, Senati i PLL e konsideroi këtë lëvizje si një veprim jo-statutor. Sipas Senatit të PLL, kjo shkelje statutore e ka shumëfishuar rëndësinë e saj sepse protagonistët janë shfaqur edhe mediatikisht duke pasur si qëllim që të dëmtojnë imazhin e PLL dhe të krijojnë idenë e përçarjes brenda saj.
Në të njëjtën kohë dhe po në mënyrë unanime, Senati i PLL vendosi që të përjashtojë nga anëtarësimi në PLL z. Ekrem Spahiu dhe disa protagonistë të kësaj përpjekjeje, me motivacionin ‘Për shkelje të rënda politike që dëmtojnë rëndë imazhin e partisë Lëvizja e Legalitetit’”.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












