Martin Shkreli, shqiptari i cili dje u cilësua si më “i urryeri”, deklaron se do të ulë çmimin e ilaçit Daraprim.
Kompania farmaceutike që ai drejton kishte rritur me 5 mijë për qind çmimin e medikamentit që përdoret nga pacientë të prekur me virusin e HIV/AIDS.
Shkreli nuk dha detaje se sa do të jetë çmimi i ri, por u shpreh se gjatë javës do të sqarojë koston e dhe ndryshimin e çmimit.
Në një prononcim për rrjetin NBC , Martin Shkreli tha se vendimi për uljen e çmimit erdhi si pasojë e reagimeve të shumta dhe të ashpra mbi rritjen e çmimit të ilaçit nga 13.50 dollarë, deri në 750 dollarë për pilulë.
“Mendoj se është gjëja e duhur të ulim çmimin , në përgjigje të zemërimit masiv që shkaktoi rritja e tij” u shpreh Shkreli.
Ky ilaç përdoret për të kuruar infeksionin “toxoplasmosis” i cili shkaktohet nga një parazit që egziston në gati çerekun e popullsisë amerikane mbi 12 vjeç, por që mund të jetë vdekjeprurëse për individët me sistem imunitar të dobësuar, si ata që vuajnë nga sida dhe kanceri.
Kur firma Turing e ngriti çmimin nga 13 në 750, kostoja e trajtimit për një pacient u rrit nga 1.130 në 63 mijë.
“Mendoj se shoqëria ku jetojmë dëshiron të diskreditojë njerëzit, dhe duke qenë se jemi në periudhë zgjedhjesh, një temë kjo shumë sensitive për njerëzit, e kuptoj një reagim të tillë”, tha Shkreli për NBC.
Martin Shkreli është një investitor amerikan me origjinë shqiptare i specializuar në investimet në sektorin e farmaceutikës. Ai është themelues i kompanisë farmaceutike Turing dhe më parë ka qenë bashkëthemelues i firmës financiare, MSMB Capital Management, e specializuar në metoda investimi me rrezik të lartë me shpresën për të realizuar fitime të mëdha.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












