KLSH: Dyfishohet borxhi bizneseve në një vit, Dogana e Tiranës nuk arrin të mbledhë 3.4 miliardë lekë

Shares

Dyfishohet borxhi që kompanitë private kanë ndaj Drejtorisë së Doganave Tiranë. Vlera e borxhit arrin në 3.4 miliardë lekë, për mbledhjen e të cilave nuk ka një përgjegjës. Shifrat janë bërë publike në auditin e fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit në Doganën e Tiranës për vitin 2014 – 2015.
“Nga auditimi u konstatua se gjendja e borxhit doganor në fillim të vitit 2014 ka qenë 1,807,618 mijë lekë, kurse në fund të vitit 2014 ajo ka arritur në vlerën 3,400,073 mijë lekë, shumë kjo që u takon 350 subjekteve debitore”, thuhet në raport.
KLSH-ja argumenton se, shifrat e mësipërme të borxhit tregojnë për punën e paorganizuar që ka bërë Dega e Doganës Tiranë në drejtim të rikuperimit të borxhit doganor.
Sipas KLSH-së, për të mbledhur këtë borxh Dogana ka nxjerrë urdhra për rikuperimin me forcë të tij, nëpërmjet 381 vendimeve për sekuestrimin e mallrave të subjekteve debitore në vlerë 2,4 miliardë lekë, ose në masën 73 % të borxhit në total. Por KLSH-ja vëren se, ecuria e këtyre masave nuk ka qenë në nivelin e parashikuar, për arsye të mungesës së bashkëpunimit me strukturat e specializuara të DPD dhe institucioneve përkatëse.
Nga auditimi u konstatua se, nuk ka përgjegjësi të qartë lidhur me ndjekjen e vendimeve administrative të nxjerra nga autoriteti doganor kompetent. Përgjegjësia është e shpërndarë në sektorin e financës, te juristët e doganës dhe në Zyrën e Borxhit Doganor, duke vështirësuar jo vetëm administrimin, por dhe ndjekjen e këtyre vendimeve.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...