Ish-Ministri i Financave, Arben Malaj, deklaron se parlamenti nuk duhet të miratojë masat ekstreme për ndëshkimin e informalitetit.
Duke folur në studion e lajmeve të “Ora News”, Malaj tha se votimi kundër ndihmon edhe qeverinë.
“Unë do tu lutesha kolegëve deputetë. Më vjen keq që qeveria pas reagimit nuk i pa vetë masat e ashpra që ka çuar në Parlament, por nuk ka asgjë të keqe, nuk ka pse të vazhdojë ky debat. Është Parlamenti që ka një mandat më të drejtpërdrejtë. Nuk ka pse të thuhet që parlamenti nuk mbështeti qeverinë e tij, por në disa raste është parlamenti filtri i fundit që nuk duhet ti miratojë ato. Dhe nuk duhet ti miratojë jo për t’iu kundërvënë qeverisë, por për ta ndihmuar qeverinë që objektivat e saj për ta reduktuar informalitetin ti bëjë në një mënyrë më logjike, më të buta, më të shtrira në kohë, në mënyrë që edhe situata të përmirësohet por pa e rritur varfërinë, pa dëmtuar besimin tek biznesi, pa krijuar pasiguri për të ardhmen. Pasi nga guri nuk del ujë”, u shpreh Arben Malaj. Malaj shikon një frymë agresive te ligjet që prekin biznesin, çka po reflektohet edhe në rënien e besimit të sipërmarrësve por edhe konsumatorëve tek ekonomia shqiptare.
Sipas ish-Ministrit të Financave, ulja e burokracisë dhe e kostove do të ndihmojë në rritjen ekonomike të vendit.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












