Fuçitë dhe solucionet e ndryshme, të gjetura dhe sekuestruara në magazinat e Xibrakës, të përshtatura në laborator droge, kanë brenda tyre përmbajte kokaine. Kjo është përgjigja e ekspertëve të Laboratorit të Policisë Shkencore pranë Ministrisë së Brendshme, të cilat kanë dorëzuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda përgjigjet e analizave të kryera.
Sipas ekspertëve, në magazinat e Xibrakës janë sekuestruar rreth 60 fuçi 200-litërshe, të mbushur me solucion të ndryshëm, ku në brendësi të rreth 20 fuçive janë konstatuar përmbajtje të lartë kokaine.

Këtë procedurë, sipas hetuesve, e kryenin dy kolumbianët tashmë të arrestuar Walter Moreno dhe Cesar Avila.
Burimet thonë se në raport, ekspertët kanë nënvizuar se nuk mund të përcaktohet sa është sasia e kokainës në këto 20 fuçi apo enët të tjera. Por ata kanë theksuar se solucioni që ndodhet brenda këtyre enëve tregon se ka përqindje të lartë të kokainës, që mund të kapë shifrën e miliona eurove pas përpunimit dhe nxjerrjes së ekstraktit të drogës.

Nga ana tjetër, burimet zyrtare i thanë ABC News se ekspertët nuk kanë gjetur mbetje të kokainës në thasët e ardhur nga Bolivia me mbishkrimin e plehut kimik apo rrobat e sende të tjera të gjetur në laboratorin e Xibrakë.

Hetuesit thonë se pala gjermane, për llogari të hetimeve të tyre, kanë marrë mostrat për ekzaminim, por nga prokuroria shqiptare i është kërkuar t’i vënë në dispozicion prova të tjera të mundshme që kanë dhe përgjigjet e këtyre ekzaminimeve.
Por edhe pse është nisur letër-porosia drejt Gjermanisë, ende nuk ka një përgjigje nga autoritet përkatëse, të cilët ishin ata që sollën informacionin paraprak për ngritjen e një laboratori droge në Shqipëri e ku në fillim të janarit u arrestuan 9 persona.
(ABC News)
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/











