Qeveria ka dhënë shpjegimet e saj në lidhje me tenderin për blerjen e 29 makinave luksoze.
Zyra e shtypit të qeverisë përmes portalit transparenca.al bën të ditur se metoda që po përdor qeveria për marrjen e këtyre makinave është më pak e kushtueshme se sa ajo e blerjes.
“Në shërbim të Këshillit të Ministrave janë në dispozicion 22 autovetura, kostoja e mirëmbajtjes së të cilave është 636,392 Euro në vit, ose 2,545,571 Euro për një periudhë katër vjeçare, duke përllogaritur këtu edhe vlerën e amortizimit të automjeteve. Marrja me qira (leasing) e një numri të njëjtë makinash, kushton 494,520 Euro në vit, ose 1,978,080 Euro për një periudhe katër vjeçare. Shteti shqiptar kursen 141,872 Euro në vit, ose 567,491 Euro për një periudhë katër vjeçare dhe në të njëjtën kohë automjetet në dispozicion janë të reja, më të sigurta, ndotin më pak mjedisin dhe duke pasur një efiçencë më të lartë në konsum, kursejnë rreth 30% më shumë edhe në kostot e karburantit. Për më tepër, në raste defektesh, automjeti zëvendësohet menjëherë dhe kostot e riparimit apo zëvendësimit për shtetin shqiptar është zero.
Kosto e marrjes me qira (leasing) të 22 automjeteve është akoma më e ulët nëse krahasohet me koston e blerjes së 22 automjeteve të reja. Shtetit shqiptar do t’i kushtonte plotë 3,497,142 Euro blerja dhe mirëmbajtja për një periudhë katër vjeçare e 22 automjeteve të nevojshme për Kabinetin Qeveritar. Dukshëm, përmes marrjes me qira (leasing), kursehen plotë 379,765 Euro në vit, ose 1,519,062 Euro për një periudhë katër vjeçare”, përfundon njoftimi.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












