Ministri Infrastrukturës dhe Transporteve Edmond Haxhinasto, ka inspektuar përsëri sot, punimet në rrugën Tiranë-Elbasan. Ky inspektim është i gjashti në më se dy vjet në krye të kësaj ministrie, ndërsa është edhe i gjashti premtim për afatin e përfundimit të kësaj rruge.
Ministri zhvilloi një bisedë me drejtues të kompanisë që po ndërton këtë rrugë, duke kërkuar që ky projekt të përfundojë sa më shpejtë të jetë e mundur. Ministri Haxhinasto tha se në këtë fazë kontraktori duhet të punojë me gjithë kapacitetet për të përfunduar projektin. Ndërsa u shpreh optimist për një përfundim të kësaj rruge deri në verën e vitit tjetër (verën e vitit 2016).
Kalendari dhe 6 premtimet e pa mbajtura të ministrit Edmond Haxhinasto
Premtimi 1 – data 5 nëntor 2013
“Rruga përfundon brenda verës së vitit 2014”
Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, ka inspektuar punimet në autostradën Tiranë-Elbasan, ku po punon kompania greke “Aktor”. Për sa i përket afatit të përfundimit, pritet që brenda verës së vitit 2014 kjo rrugë të përfundojë, premtoi ministri.
Premtimi 2 – data 7 shkurt 2014
“Rruga përfundon brenda vitit 2014”
Kryeministri Edi Rama ka inspektuar punimet në rrugën Tiranë-Elbasan, i shoqëruar edhe nga ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto. Kryeministri Rama premtoi cilësi, ndërsa si afat të përfundimit, fundin e vitit 2014.
Premtimi 3 – data 8 nëntor 2014
“Rruga përfundon brenda verës së vitit 2015”
Ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto ka inspektuar punimet që po bëhen në rrugën Tiranë – Elbasan dhe ka vlerësuar ecurinë e tyre. Haxhinasto theksoi se nga vëzhgimi i kryer dhe nga bisedimet me përfaqësuesit e firmës që po e ndërton, rruga do të jete gati në verën e vitit që vjen (verën e 2015).
Premtimi 4 – data 25 nëntor 2014
“Rruga mund të përfundojnë brenda verës së vitit 2015”
Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto inspektoi punimet në kilometrin 14+200, rreth 3 km përpara hyrjes së tunelit, zona Kërrabë, të autostradës Tiranë-Elbasan. Problematikat vënë në dyshim përfundimin e punimeve, brenda afateve të caktuara të verës së vitit 2015.
Premtimi 5 – data 31 korrik 2015
“Rruga përfundon brenda vitit 2015”
Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto, ka inspektuar përfundimin e punimeve në segmentin e 3-të të aksit të autostradës me tunel Elbasan – Tiranë. Haxhinasto e ka cilësuar si një nga rrugët e standardeve ndërkombëtare autostradën me tunel Elbasan – Tiranë , ndërsa ka premtuar se brenda këtij viti (2015) do të përfundojë i gjithë segmenti rrugor.
Premtimi 6 – data 17 nëntor 2015
“Rruga përfundon brenda verës së vitit 2016”
Ministri Transporteve dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto, ka inspektuar punimet në rrugën Tiranë-Elbasan. Ministri ndoqi nga afër punimet dhe zhvilloi një bisedë me drejtues të kompanisë që po ndërton këtë rrugë, dhe u shpreh optimist për përfundimin e kësaj rruge deri në verën e vitit tjetër (verën e vitit 2016)
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












