Prej datës 18 Tetor 2015, dy prej anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve iu ka mbaruar mandati, ndërkohë që nuk ka asnjë hap të ndërmarrë nga Kuvendi i Shqipërisë lidhur me zëvendësimin e tyre, proces i cili duhet të kishte përfunduar jo më vonë se data 18 Shtator 2015.
Mandati i anëtarit të KQZ-së me reformën zgjedhore të vitit 2012 u përcaktua të jetë 6 vjeçar, ndërsa ai i Kryetarit të KQZ-së 4 vjeçar. Me qëllim përtëritjen pjesore të anëtarësisë së KQZ-së, dy prej anëtarëve të saj iu përcaktua një mandat 3 vjeçar dhe përkatësisht mandati i znj. Albana Shtylla (zëvendësuar përgjatë mandatit nga znj. Edlira Jorgaqi) dhe mandati i z. Ilirjan Muho (zëvendësuar përgjatë mandatit nga z. Klement Zguri).
Prej 18 Tetorit 2012 kur u bë betimi në Kuvendin e Shqipërisë dhe filloi zyrtarisht mandatin, trupa e KQZ-së ka funksionuar e plotë me 7 anëtarë vetëm për 15 muaj (përkatësisht në periudhën Tetor 2012 – Prill 2013 dhe Janar – Tetor 2015), për shkak të mosplotësimit të anëtarësisë së saj nga Kuvendi i Shqipërisë dhe subjekteve politike propozuese, thuhet në një deklaratë të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë..
Ky qëndrim i përsëritur i Kuvendit të Shqipërisë, i deputetëve dhe partive parlamentare, dhe, veçanërisht, i subjekteve që duhet të propozojnë emrat e anëtarëve është jo vetëm jo korrekt dhe jo ligjor, por kompromenton thelbësisht seriozitetin dhe vullnetin e shfaqur prej tyre në ndërmarrjen e mëtejshme të reformave, të ndërtimit dhe mbështetjes së institucioneve të pavaruara.
Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë i tërheq vëmendjen Kuvendit të Shqipërisë, deputetëve dhe partive parlamentare të nisin sa më parë procesin e plotësimit të KQZ-së, si dhe të jenë më të përgjegjshëm në përmbushjen në kohë të detyrimeve ligjore të parashikuara si akte jo vetëm të detyrueshme për tu zbatuar, por edhe si akte kuptimplotë për besimin e qytetarëve ndaj shtetit ligjor dhe institucioneve.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












