Përtej deklaratave të kryeministrit Edi Rama nga Kina pak ditë më parë që konfirmoi se është finalizuar marrëveshja për rrugën e Arbrit, ministri i Transportit Edmon Haxhinasto u shpreh se ka ende një sërë pikëpyetjesh dhe po diskutohet për të dalë në një përfundim. Duke raportuar në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese ai deklaroi se do të mbrojë interesin e qytetarëve.
“Për rrugën e Arbërit mund t’ju them që ‘po’ edhe ky është një projekt i cili ka pikëpyetjet e veta shumë të rëndësishme. Pavarësisht përpjekjeve tona për të arritur një konkluzion dhe një marrëveshje koncesionare me një ofertë që kemi nga një kompani kineze, kur të konkludojmë sic duhet në shifra në vlera për financimin e kësaj rruge do të vijmë këtu dhe do të themi e kemi konkluduar”, u shpreh Haxhinasto para deputetëve.
Brenda pak ditëve qeveria shqiptare do të dalë me një zgjidhje mbi liberalizimin e transportit ajror. Por deputetët e opozitës ishin mosbesues dhe i kujtuan ministrit Haxhinasto se kështu është shprehur disa here dhe se gjendja nuk ka ndryshuar.
“Punë ditësh dhe do të keni lajmin për konkludimin e negociatave”, u shpreh më tej minsitri.
Rruga Tiranë -Elbasan sipas ministrit Haxhinasto është një ndër projektet më problematike në vend dhe si rezultat do të ketë dhe një faturë financiare të lartë.
“Si pasojë e mungesës së këtij studimi të mirëfilltë gjeologjik ka ndodhur mbi 4 shkarje masive”, sqaroi ai.
Haxhinasto deklaroi se tashmë po bëhet studimi për rrugën e Ndroqit dhe për një sërë rrugësh të tjera në kryeqytet.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












