Në një njoftim për mediat, policia e Tiranës thotë se janë sekuestruar 29 mijë euro, të cilat prokurori i ka kthyer pasi nuk ka favorizuar dot të pandehurin. Ndërsa prokuroria deklaron se nuk dihet ende shuma e saktë që i është premtuar prokurorit Haxhi Giu dhe për këtë çështje hetimet vazhdojnë.
Prokuroria dhe policia janë përplasur sërish dje por këtë radhë për shumën e parave që i ishte premtuar prokurorit në këmbim të favorizimit të të pandehurit Paulin Shpori.
Në deklaratat respektive për mediat, policia dhe prokuroria deklarojnë të dhëna kontradiktore sa i takon shumës së parave.
Në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme thuhet se prokurorit Haxhi Giu i është premtuar një shumë parash në euro, por nuk dihet ende vlera e saktë e tyre.
“Shuma e saktë që i është premtuar prokurorit do të jetë objekt i hetimit të mëtejshëm”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme.
Ndërsa policia e Tiranës në njoftimin që lajmëron arrestimin e prokurorit thotë se atij i ishin premtuar 29 mijë euro të cilat tashmë janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
“Gjatë fazës së gjykimit shtetasi Aleks Shpori është takuar disa herë me prokurorin e kësaj çështjeje, shtetasin Haxhi Giu të cilit i ka afruar shumën 29.000 euro në këmbim të ndryshimit të masës së sigurimit personal “arrest në burg” për vëllai e tij Gj. Sh”, thuhet në njoftimin e policisë së kryeqytetit.
Më pas në të njëjtin njoftim policia sqaron se nisur nga fakti se nuk është bërë i mundur ndryshimi i masës së sigurimit personal arrest me burg për të pandehurin, nga ana e prokurorit të çështjes Haxhi Giu është kthyer mbrapsht shuma prej 29.000 euro tek vëllai i tij Aleks Shpori.
“Nga ana jonë janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale shuma 29.000 euro, DVD me pamje filmike të marra nga ambiente të ndryshme (lokale, exchange) ku janë zhvilluar takimet dhe shkëmbimi i parave ndërmjet shtetasve Haxhi Giu dhe Aleks Shpori”, thotë policia.
Ndërsa prokuroria jep një tjetër version duke thënë se pas dhënies së vendimit, prokurori i çështjes takohet sërish me shtetasin Aleks Shpori në të njëjtën pikë këmbimi valutor në Tiranë, ku i bën të ditur se, pavarësisht tentativave konkrete, nuk mund të bënte asgjë për të ndihmuar Paulinin.
“Ndërkohë, shtetasi Aleks Shpori ka tërhequr nga pika e këmbimit valutor shumën që kishte lënë “garanci” dhe është larguar pa e kryer “pagesën” ndaj prokurorit, për shkak se nuk u arrit të zbutej akuza për vëllanë e tij”, thuhet në njoftimin për mediat të Prokurorisë së Përgjithshme.mapo
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












