Basha për debatin sot në parlament: Vetëm hajdutët nuk votojnë ligjin e CEZ

Shares

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ne mbledhjen e grupit parlamentar tha sot se mazhoranca ka ndërmend të rrëzojë ligjin për hetimin e CEZ.

“Rrëzimi i hetimit në Komisionin e Ligjeve nga deputetët e Edi Ramës, me ndihmën e abstenimit të deputetëve të LSI-së së Ilir Metës, është parathënia e rrëzimit të ligjit edhe në sallën e Kuvendit. E gjithë kjo në dhunim flagrant të së drejtës së shqiptarëve për të mësuar me transparencë të plotë të vërtetën për 600 milionë euro të aferës CEZ, pasuri e qytetarëve shqiptarë dhe 135 milionë eurot e aferës DIA.

Nëse kjo ndodh,nëse hetimi ndërkombëtar rrëzohet edhe në seancë me kartonët e shumicës, Ilir Metës i duhet të gëlltisë premtimin e tij solemn dhe publik të dhënë para zgjedhësve të tij në Skrapar dhe në shumë tribuna të komunikimit politik se do të votojë pro këtij projektligji.

Edi Rama duhet të vjellë mashtrimin e tij publik për angazhimin nga ana e qeverisë të ekspertëve ndërkombëtarë nga SHBA dhe Bashkimi Europian për hetimin e aferës. Të dy duhet të lëpijnë ku kanë pështyrë, pra njëri –tjetrin”, tha Basha.

Në vijim ai tha se “Sot është dita për të zgjedhur: do të pranohet apo jo hetimi ndërkombëtar i çdo prove, i çdo dyshimi, i çdo akuze që është hedhur nga ne si opozitë dhe nga kundërshtarët tanë ne qeveri, nga mediat, nga zyrat avokatore ndërkombëtare të qeverisë shqiptare për humbjet kolosale në shifra miliarda eurosh, që kanë pësuar tashmë dhe mund të pësojnë sërish financat e Shqipërisë, financat e taksapaguesve shqiptarë nga marrëveshja me kompaninë CEZ.

Sot është dita për t’i lënë mënjanë llogjet dhe për të vendosur: do të pranohet apo do të refuzohet nga dyshja Rama-Meta thelbi i projektligjit tonë për të pajtuar në këtë hetim prokurorë dhe ekspertë të sprovuar nga vendet mike e partnere, nga SHBA dhe Bashkimi Europian, që do të ftohen dhe do të hetojnë nën autoritetin e Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë.

Sot është dita për të ndarë shapin nga sheqeri,: kush është për ta mbajtur pambarim këtë aferë kriminale në planin e llafeve dhe kakofonisë së qëllimshme, ku të gjithë akuzojnë të gjithë dhe askush nuk e merr vesh kush është hajduti i vërtetë dhe kush është për të votuar zbardhjen ligjore nga një hetim i kualifikuar dhe i pavarur ndërkombëtar”, tha ndër të tjera Kryetari i PD-së.

Në vijim Basha u kqërkoi deputetëve të mos votojnë ligjin e shpronësimit sic e quajti ai. “Lufta kundër këtij shpronësimi të ri të pronarëve nis sot në Kuvend por do të vazhdojë në çdo hapësirë publike dhe institucionale derisa të rrëzojmë. Ndaj ju bëj thirrje pronarëve të bashkohen në marshimin e protestës me 8 dhjetor për të rrëzuar këtë shpronësim të dytë dhe hartuesit e tij hajdutë”.

Nuk ka asnjë shenjë dhe asnjë shpresë se situata do të përmirësohet për shqiptarët. Përkundrazi: po përkeqësohet e do të përkeqësohet deri ku nuk mban, deri aty ku do të jetë shumë shumë e vështirë për tu ngritur. Partia Demokratike dhe opozita do ti prijnë kësaj përballje. Ftojmë të gjithë qytetarët e Tiranës dhe nga mbarë vendi të mblidhemi për zgjidhjen, në një protestë të madh kombëtare në sheshin “Skënderbej”, të martën me 8 dhjetor në orën 11:00, deklaroi Basha.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...