Në fjalën e tij, para gazetarëve, për darkën që kishte shtruar për ata, kryeministri Edi Rama, falë edhe ndihmës së zyrës së tij të shtypit, kishte arritur të bënte një përmbledhje “mbresëlënëse”, jo se çfarë kishin shkruar mediat për atë gjatë vitit 2015, por për atë se si i kishte “lexuar” ai mediat.
Më poshtë janë disa prej “këndvështrimeve” të Edi Ramës, për atë se çfarë, sipas tij, mediat kanë “shkruar” për atë (Edi Ramën), gjatë vitit që po ikën
“Unë jam mes jush, tanimë, si kavia kryesore e punës suaj, që duhet të pranoj pa u ndjerë bisturitë, thikat, gërshërët, gjilpërat, turjelat, frezat, sharrat, daltat, çekiçët, acidet, zorrët me presion të lartë e me radhë”.
Sa shumë mund ishte derdhur këtë vit, për të më bërë copa e cika dhe për të nxjerrë nga çdo copë e nga çdo çikë, konkluzione fundore për idealet e mia inekzistente, qëllimet e mia infantile, dëshirat e mia të cekëta, synimet e mia të zymta, deformimet, komplekset, fanepsjet, frikërat, halat në syrin tim, gjëmimet në veshët e mi, ngacmimet në hundën time, të fshehtat në gjak, në bark, në mushkëri, madje edhe në bisht”.
“E shumë analiza, diagnoza, prognoza në vetëm në një vit, ku t’ju them të drejtën, pa qenë edhe vetë i vetëdijshëm, kam mbretëruar, sunduar, shtypur, grabitur, djegur, shkatërruar dhe oh, ç’qejf, o qejf! kam bërë me sejmenë teveqelë, bufonë, klounë, akrobatë, valltarë, rreth zjarrit të madh të ferrit që e ushqej me trupat e të varfërve”.
“E shumë fjalë që ishin thurur pa pushim, një vit rresht, për të provuar me këmbëngulje sesa i telendisur, i kapur, i korruptuar, i pafuqishëm, – madje, të gjitha këto janë citime, prandaj më falni, – i menderosur qenkam, fraxhil dhe i shantazhueshëm deri në atë farë dhimbjeje, sa s’kam ç’i bëj gomarit dhe i bie samarit, në një përpjekje të kotë për të blerë kohë, në ndërkohën që fati im qenka i shkruar si mos më keq”.
“Aq shumë larg që ju kishte çuar disave ndër ju këtu, përkushtimi për të vërtetën, që të arrini të zbuloni se dëshpërimi im për pushtet ka kapërcyer kufijtë e çdo imagjinate dhe i bashkuar me dëshpërimin tim prej artisti të dështuar ka krijuar një frankeshtain që po mbyt Shqipërinë me terror taksash e gjobash, i cili po i jep qyteteve tona konturet e çuditshme të shtëpisë sime në Surrel, ku ka një fakt tronditës, që edhe i vetëm mjafton për të kuptuar sesa i rrezikshëm është vizioni im: Shtëpia ime nuk ka dritare!”.
“U mahnita sinqerisht për çka lexova, duke u përgatitur për këtë fjalë dhe s’ka rëndësi nëse autorët që pata rastin të lexoj, nuk do ta besojnë që unë sinqerisht u mahnita. Dua sinqerisht t’i falenderoj për këtë luftë fjalësh pa kufi që kanë bërë, në një përpjekje njëvjeçare që do të kishte bërë këdo, – më besoni, – të ndjehej i privilegjuar, për të më bërë copa e çika e për të më nxjerrë nga çdo copë e çdo çikë, një provë therëse të asaj që unë jam dhe të gjithë njerëzit duhet ta marrin vesh një orë e më parë, përpara se të jetë vonë”.
Por, në fjalën e tij, para gazetarëve, shkaktoi jo pak çudi, kur tentoi të parashikojë se çfarë (dhe si) “do të shkruajnë” gjatë vitit që vjen, 2016, mediat për atë…
“E unë do të vazhdoj me stoicizëm të mbetem kavia juaj kryesore, duke pritur me kërshëri të madhe fundin e viti tjetër, për të lexuar gjetjet e vitit që vjen. Jam shumë kurioz se çfarë ka mbetur pa thënë. Me siguri, shumë gjëra të tjera do të dalin në këtë kërkim shumë impresionues në të gjitha të thellat e skutat e qenies sime dhe do të mundohem t’ju jap arsye të reja që të bëni analiza të reja, të gjeni diagnoza të reja, të nxirrni konkluzione të reja dhe të pasqyroni me gjetje të reja, librin e shënimeve tuaja. Por edhe në mos mundsha unë t’ju gjendem me të reja, tanimë është e provuar botërisht se jeni kaq thellë brenda meje dhe i zbuloni kaq symbyllas, të gjitha paramendimet dhe prapamendimet, madje përpara se ato të më vijnë, apo të më qëndrojmë mbas mendimeve, sa jam i bindur që do t’i gjeni vetë”.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












