Alibeaj tregon misterin e Byrosë së Hetimit

Shares

Parlamenti u përfshi këtë të enjte nga debati mbi Byronë Kombëtare të Hetimit, ku deputetët e opozitës i mëshuan kërkesës së tyre më të fundit për ngritjen e menjëhershme të saj, ndërsa kryeministri Edi Rama la të kuptohej se ajo do të ngrihej pas marrjes së opinionit të Venecias për reformën në drejtësi.

Ajo që është e dukshme deri më tani është se ka një mister rreth draftit për Byronë Kombëtare të Hetimit, një sponsorizim amerikan dhe një kërkesë e beftë e Partisë Demokratike për ta futur në votim sa më shpejt.

“Byroja e Hetimit kishte dy çështje thelbësore fillimisht që binte ndesh me Kushtetutën, e para byroja e forcave të rendit që janë në varësi të ministrit të Brendshëm do të kryenin hetime në mënyrë të pavarur sipas mendimit të PS, dhe e dyta në krye të këtij grupi do të ishte ministri i Brendshëm. Dmth, Prokurori i Përgjithshëm në këtë rast do të ishte ministri. Gjykata kushtetuese e shfuqizoi atë”, tha Enkelejd Alibeaj të enjte në Top Story me Sokol Ballën.

Përfaqësuesi i Partisë Demokratike tha se amerikanët u përfshinë në ngritjen e kësaj strukture para 6 muajsh dhe u ulën duke marrë vullnetin e të dyja palëve.

Sipas Alibeajt, Venecia e ka marrë njëherë në shqyrtim këtë çështje dhe nuk ka pse të pritet më për ngritjen e Byrosë.

“Venecia e mori në analizë këtë çështje dhe në mendimin që ktheu ka thënë: kjo zgjidhje që të jetë praktike duhet që Byroja Kombëtare e Hetimit të mos i nënshtrohet drejtimit të jashtëm dhe roli dhe kompetencat e saj duhen specifikuar të paktën në Kushtetutë”, shton ai.

Ai shtoi se për ngritjen e saj duhen plotësuar 3 kushte. E para, sipas Alibeajt janë financimet që po i jep SHBA, e dyta është baza kushtetuese, që sipas tij ekziston dhe i fundit dhe ai që mungon është vullneti i Partisë Socialiste.

Të njëjtin qëndrim ndau edhe eksperti tjetër i demokratëve, Ivi Kaso, ndërkohë që Alibeaj u ndal në fund tek ajo që ndan më së shumti palët sa i përket reformës në drejtësi; votimi me 3/5, që këmbëngul maxhoranca dhe 2/3 që kërkon opozita. Sipas tij, nëse reforma kalon me 2/3, kjo maxhorancë instalon militantët e vet në sistem për 20 vitet e ardhshme.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...