Ka përfunduar edhe takimi i kreut të opozitës Lulzim Basha me Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry.
Takimi u zhvillua te Hotel “Rogner”.
Në përfundim të takimit Basha ka zbuluar diçka nga tematika e bisedës së tij me Sekretarin Kerry.

I sigurova në këtë takim se Partia Demokratike ashtu sikundër ka bërë deri më sot do të vazhdoj të jetë në krye të përpjekjeve për ruajtjen dhe konsolidimin e standardeve euroatlantike të demokracisë, shtetit ligjor dhe të drejtave të njeriut. Dhe se ashtu si në qeverisje edhe në opozitë Partia Demokratike mbetet e përkushtuar jo vetëm ndaj këtyre vlerave, jo vetëm me fjalë por edhe me vepra, siç ishte rasti i procesit të dekriminalizimit. Proces kyç për të sotmen dhe të nesërmen e demokracisë shqiptare dhe që nuk do të ishte përfunduar me sukses pa mbështetjen e plotë dhe të gjithanshme të SHBA-ve.
Të tjera sfida të mëdha që e presin Shqipërinë kanë të bëjnë me luftën kundër krimit dhe korrupsionit si parakusht i ecjes së Shqipërisë përpara në rrugën drejt integrimit europian. Parakusht I forcimit të kapaciteteve të Shqipërinë për të qenë një partnere e denjë, një aleate e vërtetë e SHBA-ve, e cila jo vetëm konsumon por edhe kontribuon në sfidat e kësaj aleance, në sfidat e përbashkëta kundër ekstremizmit.
Duke forcuar demokracinë e brendshme është e investimi më i mirë, më i fuqishëm në të ardhmen europiane dhe euroatlantike të Shqipërisë dhe gjithë rajonit. E në këtë kontekst është dhe ecja përpara me reforma shumë të rëndësishme siç është reforma në drejtësi, në përputhje me rekomandimet, normat, standardet e pranuara bashkërisht siç janë ato të Komisionit të Venecias, si dhe çështja kyçe e demokracisë shqiptare, çështja e zgjedhjeve të lira e të ndershme, për të cilat opozita kërkon angazhimin e partnerëve tanë si një reformë kyçe pa të cilën Shqipëria nuk mund të bëjë përpara.
Këto ishin ndër çështjet kryesore, sigurisht pati edhe të tjera, 25 vjetori i marrëdhënieve diplomatike, rekordi i angazhimit tonë si në qeverisje por edhe sot në opozitë për të mbështetur objektivat e përbashkëta dhe çështje të tjera të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Jam edhe një herë shumë mirënjohës sekretarit Kerry që ndau kohë posaçërisht për të bashkëbiseduar me opozitën, unë e konsideroj këtë një shenjë besimi të madh tek opozita shqiptare, tek Partia Demokratike dhe i garantoj që Partia Demokratike dhe unë do të bëjmë çdo përpjekje për të përmbyllur me sukses konsolidimin e standardeve demokratike, të shtetit ligjor në Shqipëri, për të mbyllur çdo derë instalimit të një oligarkie dhe të ti hapur rrugë një demokracie pjesëmarrëse për qytetarët shqiptarë”, u shpreh Lulzim Basha në përfundim të takimit.

/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












