Historia e ndërtesës që sot është shndërruar në një nga pikat më të rëndësishme të identifikimit të qytetit bregdetar. Një dëshmi e rrallë nëpërmjet fotove historike. Hoteli që në kohën e Italisë u ndërtua me emrin “Hotel dei Dogi”, më 1944 mori emrin “Majestik”, në kohën e miqësisë shqiptar-sovjetike u shndërrua në “Vollga”, “Iliria pas prishjes me sovjetikët dhe që tashmë është i rrethuar me llamarina.
Gjatë viteve të Mbretërisë zogiste për shkak të gjendjes së mjeruar të infrastrukturës, që trashëgoi Shqipëria nga shekujt osmanë, ishte domosdoshmëri zbatimi i një program ambicioz ndërtimesh publike. Krahas rrugëve, urave, shkollave, spitaleve e strehëve vorfënore, u desh të ndërtoheshin edhe godinat, ku do zhvillonin veprimtarinë e tyre organet e shtetit shqiptar, duke filluar nga ndërtesat e ministrive në Tiranë deri te bashkitë, burgjet, kazermat e depot e ushtrisë në të katër cepat e Shqipërisë.
Fillimi i ndërtimit
Në Durrës, sipas përvojës italiane të piacës ushtarake, u vendos të ndërtohej komanda e marinës kombëtare. Si vend për ndërtimin e kësaj komande u përzgjodh një terren pranë Kullës veneciane (Torra e Durrësit) pronë e vëllazërisë Xhimitiku. Vendndodhja e komandës së re të marinës ishte fare pranë me ndërtesën e komandës së vjetër dhe ndërtesave të trashëguara nga Turqia si Gjymryku (ndërtesa e doganës), Xhepaneja (Torra veneciane e përdorur si depo armatimi e municioni artilerie).
Në vitin 1938 filloi ndërtimi i godinës, që iu besua me sipërmarrje firmës prestigjioze italo-shqiptare ‘Fortuzi-Staccioli”. Siç shihet edhe në filmimet e Institutit italian të Kinematografisë “Luce”, 7 prilli e gjeti ndërtesën në gjendje karabinaje me dy kate të përfunduara. Kjo ndërtesë shërbeu si një nga nyjet e fortifikuara të rezistencës shqiptare në 7 prill 1939.
Hoteli luksoz
Në 4 qershor 1939 Marina mbretërore italiane me anë të një shkrese të firmosur nga Riccardo Paladini me gradën Admiral skuadre konfirmon blerjen e truallit të ndërtesës së pa përfunduar të komandës së marinës shqiptare (ndërtesa e hotelit të ardhshëm “Vollga”). Për nevoja politike, komanda e marinës në 30 shtator 1939 vendoset në zyrat e ndërtuara nga firma Mazzorana për ish-administratën portuale, ndërsa ndërtesa ende e papërfunduar do të përshtatet për hotel luksoz.
Pas pushtimit të vendit, në kuadrin e frymës së re fashiste për zhvillimin e turizmit në Shqipëri, me ligjin numër 1021 datë 18. 06.1939 u themelua ENITEA (Enti Kombëtar i Industrisë Turistike dhe Hotelerisë) në varësi të Ministrisë së Kulturës Popullore. Ky organizëm krijoi ETA-n (Ente Turistico Albanese-Enti Turistik Shqiptar), përgjegjës për zhvillimin e turizmit në Shqipëri. Në dhjetor 1939, me fondet e ETA-s, filloi përshtatja e ndërtesës s ë papërfunduar të komandës së marinës për hotel turistik. Në ndërtimin e hotelit u angazhuan firma prestigjioze italiane dhe italo-shqiptare si: Feltrinelli SRL, Shoqëria anonime Calcionomida, Impresa Staccioli-Fortuzi, impresa Marinucci etj.
Hoteli 3-katësh kishte një sipërfaqe totale të shfrytëzueshme prej 3426 metrash katrore. Ai konsiderohej si hoteli më modern dhe prestigjioz i Shqipërisë, pas Hotel “Dajti”-t në Tiranë, të inauguruar nga Mëkëmbësi Mbretëror Francesco Iacomoni.
Hoteli u inaugurua në 21 prill 1940, me emrin “Hotel dei Dogi” (“Hoteli i Doxhëve” që i referohet Doxhëve të Venedikut). Në inaugurimin e hotelit krahas autoriteteve lokale si Prefekti, Kryetari i baskisë (podesta) dhe Federali fashist i Durrësit, morën pjesë edhe dinjitarë italianë si nën-sekretari i Ministrisë Italiane të Kulturës Popullore, Commentatore Mario Mengoni, përfaqësuesi ENITEA-s dhe drejtor i parë i hotelit, Konti avokat Guidi, konti Martinomi, Senatori Carlo Bonari, komandanti i piacës ushtarake të Durrësit, Gjeneral Gallino, Gjeneral Petroli Cicognara, etj. Në të njëjtën kohë, bulevardi i qytetit (sot “Rruga Tregtare”, ish-“Bulevardi Enver Hoxha”) u emërua “Viale Vittorio Emanuele III, Mbreti i Italisë dhe i Shqipërisë”.
Spitali ushtarak
Ndërtimi i hotelit u karakterizua nga një luftë e ashpër burokratike midis Ministrisë së Kulturës Popullore dhe Komandës Eprore të Flotës Mbretërore Italiane e ashtuquajtura Supermarina. Ndërsa në ndërtesën e hotelit ende nuk kishin mbaruar punimet, në 4 janar 1940 Marina Mbretërore Italiane kërkon ta përdorë ndërtesën për spital ushtarak. Në këtë kohë Italia ende nuk kishte hyrë në luftë në krah të Gjermanisë hitleriane. Luogotenenza (Mëkëmbësia Mbretërore) me shkresën e saj të 19 janarit 1940 kundërshton kërkesën e Marinës mbretërore italiane, duke theksuar rëndësinë e ndërtimit të një hoteli të tillë për arsye ekonomike, politike e prestigji. Kundëradmiral Alberto Da Zara më 11 shkurt 1940 përsëri kërkon shndërrimin në spital për marinën të hotelit thuajse të përfunduar.
Në prag të inaugurimit, në 6 prill 1940 Ministria e Marinës përsëri këmbëngul për ta shndërruar hotelin e sapo përfunduar në spital ushtarak. Gjthsesi “Hoteli i doxhëve” funksionoi vetëm për pak kohë si i tillë, sepse pas hyrjes së Italisë në luftë më 10 qershor 1940, ai u shndërrua në spital ushtarak sipas shkresës së Ettore Stratiello-s Admiral-divizioni, datë 6 gusht 1941.
Në 9 shtator 1943 parashutistët gjermanë dhe elementë të Regjimentit SS Bradenburg e shndërruan “Hotelin e Doxhëve” në komandë të tyre operative gjatë operacionit për çarmatosjen e trupave italiane të Korparmatës së IV si edhe të marinës luftarake të vendosura në Durrës. Gjatë gjithë okupacionit gjerman hoteli shërbeu për akomodimin e trupave të ushtrisë dhe flotës gjermane.
Hoteli “Majestik”
Në dhjetor 1944 hoteli, i cili ndryshe nga porti i Durrësit nuk u hodh në erë nga trupat gjermane, ndërron emër dhe quhet “Hotel Majestik”. Në 3 prill 1945 Ministria e Ekonomisë Kombëtare informohet nga autoritetet lokale se “Hotel Majestik” pronë e bashkëpunëtorit të fashizmit Omer Fortuzi është sekuestruar në bazë të ligjit Nr. 40 datë 14 janar 1945 për sekuestrimin e pasurive të të arratisurve. Në të u akomoduan partizanët e garnizonit të portit të komanduara nga kapiten Çelo Arrëza.
Në këtë periudhë hoteli funksionoi kryesisht si hotel për ushtarakët shqiptarë, ushtarakët dhe diplomatët jugosllavë si edhe për diplomatët e huaj të misioneve aleate angleze, amerikane dhe franceze, për diplomatët e këshilltarët sovjetikë etj.
Është interesant fakti se oficerët e dy anijeve minavënëse (posa mina) jugosllave, që minuan Kanalin e Korfuzit fjetën dy net në rrugën vajtje-ardhje Split-Durrës-Kanal i Korfuzit.
Në fund të vitit 1947 e në vazhdim hoteli filloi të shërbente edhe për akomodimin e civilëve shqiptarë kryesisht zyrtarë të regjimit komunist.
Emri që mbeti
Në vitin 1949, në kuadrin e miqësisë sovjeto-shqiptare hotelit iu vu emri “Hotel Vollga”. Mobilimi mbeti po ai italian, por inventari i imët filloi gradualisht të zëvendësohej me qelqurina të Bohemisë, apo lugë e pirunë të fabrikës “Krasnij Oktober” të Saratovit.
Në vitin 1954, gjatë një periudhe liberalizimi të jetës së vendit, hotelit iu shtua edhe nje bar-lulishte e pajisur edhe me pistë vallëzimi. Në të, në varësi të situatës politike në vend, krahas muzikës shqiptare dhe sovjeto-lindore, luhej edhe muzikë perëndimore e llojit xhaz, sëing, foks-trot etj. Lulishtja dhe pista e vallëzimit përfundimisht u mbyllën në vitin 1992 gjatë periudhës së “shtrëngimit të vidave” pas eliminimit të Mehmet Shehut.
Pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin sovjetik hotelit iu hoq emri “Vollga” dhe për një kohë të gjatë deri në fillimin e viteve 70-të ai u la pa emër.
Më pas u pagëzua me emrin “Iliria”.
Në këto dekada, ndonëse hoteli mbetej prestigjioz për shqiptarët (“Hotel Adriatiku” në plazhin e Durrësit ishte i ndaluar për shqiptarët me përjashtim të nomenklaturës së lartë komuniste), cilësia e shërbimit dhe e pajisjeve ishte në rënie të vazhdueshme.
Pajisjet cilësore italiane u zëvendësuan nga pajisje e mobilie kineze, europiano-lindore apo të prodhimit shqiptar, të cilat me ndonjë përjashtim të rrallë ishin utilitare dhe inferiore për nga cilësia në krahasim me ato te hoteleve italiane të bregut tjetër të Adriatikut. Kështu radiot perëndimore “Marconi” dhe “Philips” u zëvendësuan nga hungarezet “Orion” dhe kinezet “Flamuri i kuq”, kolltukët me lëkurë toskane nga kolltukë me damask kinez. Mobilet me rimeso arre të Valtellinas u zëvendësuan me mobilje tamburato të zdruktharisë së Pogradecit. Deri edhe mbulesat “seta pura” prodhuar në Matera të Bazilikatës u zëvendësuan me bezet e kombinatit “Mao Ce Dun” të Beratit. Rubineteria e markës “Verniccelli” të Milanos u zëvendësua nga prodhime të shëmtuara e me cilësi të dobët të Uzinës “Dajti” apo të Fajancës së Korçës. Të vetmet pajisje perëndimore të hotelit ishin ekspresi i kafesë dhe atakabriga, pajisja për prodhimin e akulloreve, të importuara në fillim të viteve 80-të po nga firma italiane “Rancilio” njëlloj si pajisjet origjinale të vitit 1940.
Ndryshimi i vitit 1990
Ndryshimet e vitit 1990 e gjetën hotelin në gjendje të rënduar, me gjithë punimet restauruese dhe ndërhyrjet në nyjet hidrosanitare të kryera në fillim të viteve 80-të.
Gjatë dy tre viteve të para të demokracisë, hoteli e vazhdoi veprimtarinë e tij si hotel si të thuash “me shpirt në dhëmbë”.
Për herë të fundit shërbeu si strehim për refugjatët kosovarë në pranverën e vitit 1999.
KKRT-ja e Bashkisë Durrës në shtator të vitit 2009, duke e vlerësuar hotelin si trashëgimi arkitekturore të qytetit, kundërshtoi një kërkesë për prishjen e hotelit dhe ndërtimin në vend të tij të një grataçiele 22-katëshe.
Si i kaloi kjo trashëgimi Emiljano Shullazit
Pikërisht kjo trashëgimi gjendet sot në duart e Emiliano Shullazit. Dhe historia është po aq me të papritura sa ajo e vetë hotelit të famshëm. Ajo daton nga viti 2003 kur me vendim të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, ish-hotel “Vollga” i njihet trashëgimtares së ligjshme, Alie Fortuzi. Por kjo trashëgimtare e mbetur e Fortuzëve që komunizmi i kish shpronësuar si bashkëpunëtorë të pushtuesve ishte në moshë dhe në gjendje të keqe fizike. Ndaj ajo vendosi t’ia dhurojë pronën e fituar njeriut që ishte kujdesur për shëndetin e saj, shtetasit Zamir Hasa.
Në shenjë respekti për angazhimin e Hasës për shëndetin e saj, ajo ka vendosur që pronën, “ish-Vollgën”, t’ia japë me testament atij, i cili do të bëhej pronar i ligjshëm pas vdekjes së Alie Fortuzit. Por këtu fillojnë ngatërresat.
Po në të njëjtën ditë me regjistrimin në Hipotekë të pronës në emër të Alie Fortuzi, rezulton se ajo i është shitur shtetasit arab Mohamad Abdullah Bavazer. Dhe prej nga ky moment nis procesi që fut në lojë Emiliano Shullazin.
Trashëgimtari Zamir Hasa, vendos të ndjekë rrugën gjyqësore duke pretenduar se prona është regjistruar në Hipotekë në mënyrë fiktive. Procesi zgjati gati 10 vjet me plot të papritura.
Në kohën që Gjykata e Lartë në 10 korrik 2013 me vendim të ndërmjetëm kishte urdhëruar pezullimin e regjistrimit të shënimit të emrit të shtetasit arab në kartelën e pasurisë, gjykata e Durrësit, në një tjetër proces, i njeh të drejtën e pronësisë shtetasit arab Mohamad Bavazer.
Me këtë vendim njohjeje pronësie, ky i fundit e regjistron pasurinë e paluajtshme të ish-“Vollga” në emër të kompanisë “Suadi Brother’s Commercial Company”, në të cilën ishte vetë ai administrator.
Pasi është bërë pronar i ligjshëm, “Suadi Brother’s Commercial Company”, në nëntor 2014, ia shet një pjesë të pasurisë për shumën 670 mijë eurove du personave që dyshohen se kanë bërë thjeshtë dhuruesin fiktiv të emrit: Fejzi dhe Marjeta Kodra.
Mbi bashkëshortët Kodra ka dyshime për mundësitë e tyre financiare për shpenzimin e një shume të tillë. Këtë akt e bënë më të dyshimtë edhe një fakt tjetër: ata vendosin që një muaj pas blerjes ta dhurojnë pronën e tyre. Familjarët Kodra, ashtu si edhe “Suadi Brother’s Commercial Company” me përfaqësues Ylvi Beqja, në dhjetor 2014, nënshkruajnë kontratën e dhurimit, në bazë të të cilës të gjithë të drejtat pronësore të tyre, ia japin pa asnjë shpërblim Emiljano Shullazit. Ndërkohë në këto kontrata nuk ka asnjë arsyetim se përse është bërë ky dhurim dhe se pse është zgjedhur Emiljano Shullazi, për të trashëguar këtë godinë simbolike të Durrësit.
Ndoshta sepsë si të gjitha simbolet e së kaluarës edhe ndërtesa që ka mbajtur njëri pas tjetrit emrat e mëdhej, “Albergo di Dogi”, “Majestic” apo Vollga nuk mund të kishte një fund të lavdishëm.
Marrë nga portali DurrësLajm
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












