Këshilli i Mandateve për Ballukun, PS kërkon shtyrjen e shqyrtimit të dosjes, çfarë fshihet pas këtij propozimi, rregullorja

Shares

PS kërkon shtyrjen e mbledhjes së Këshillit të Mandateve më 19 janar, përplasje me PD për provat e SPAK në dosjen Balluku

Partia Socialiste ka kërkuar që mbledhja e Këshillit të Mandateve për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku të shtyhet deri më 19 janar, duke argumentuar se palët duhet të njihen me një volum të konsiderueshëm provash që përmbajnë rreth 10 mijë faqe materiale.

Kërkesa u bë gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura që po zhvillohet në Kryesinë e Kuvendit që prej orës 10:30, ku është shënuar një përplasje mes mazhorancës dhe opozitës mbi mënyrën e administrimit të provave të depozituara nga SPAK në një USB. Mazhoranca kërkon që USB-ja të hapet dhe të shqyrtohet vetëm brenda mbledhjes, pa dalë materialet jashtë saj, ndërsa PD këmbëngul që provat të merren për t’u analizuar deri në seancën e ardhshme.

Zv.kryeministrja Belinda Balluku nuk është paraqitur në mbledhje, por përfaqësohet nga avokati Ardian Kalija, i cili ka kërkuar kohë për t’u njohur me provat, duke theksuar se dosja përmban rreth 10 mijë faqe dhe se materialet janë sekret hetimor. Avokati ka kërkuar një afat trejavësh, ndërsa SPAK është shprehur kundër një shtyrjeje të gjatë, duke propozuar një afat deri në pesë ditë.

SPAK u përfaqësua në mbledhje nga kreu i ri i institucionit Klodian Braho, prokurori i çështjes Dritan Prençi dhe prokurorja Dorina Bejko.

Në relacionin e dorëzuar në Kuvend, SPAK argumenton se pozita e Ballukut si zv.kryeministre është rënduar dhe se ajo dyshohet se ka manipuluar të paktën 11 tenderë me vlerë rreth 1.2 miliardë euro, ka ushtruar presion mbi dëshmitarë dhe paraqet rrezik për kryerjen e veprave të tjera penale.

Rregullorja e Kuvendit nuk përcakton afat për përfundimin e shqyrtimit nga Këshilli i Mandateve, por parashikon që raporti përfundimtar të hartohet brenda dy javësh dhe të votohet në seancën e parë plenare. Ligji parashikon gjithashtu një afat maksimal tre mujor, pas të cilit, në mungesë të një vendimi, kërkesa e prokurorisë rrëzohet.

Një ditë më parë, Apeli i GJKKO-së la në fuqi masën e ndalimit të daljes jashtë shtetit për Ballukun, ndërsa Gjykata Kushtetuese e ka rikthyer përkohësisht në detyrë, në pritje të shqyrtimit të ankimit të qeverisë për konfliktin e kompetencave me GJKKO-në. a.b

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...