Skena tensioni dhe kaosi në Kuvend, përplasje mes opozitës dhe Gardës, betimi i Avokatit të Popullit mes flakadanëve.
Mëngjesi i së enjtes në Kuvendin e Shqipërisë u shoqërua me skena kaotike, teksa deputetët e opozitës u përplasën me punonjësit e Gardës në përpjekje për të bllokuar zhvillimin e seancës plenare. Opozitarët bllokuan fillimisht disa nga ulëset e ministrave, duke synuar të pengonin ceremoninë e betimit të Avokatit të ri të Popullit, Endrit Shabani.
Pavarësisht tensioneve, ceremonia u zhvillua dhe Shabani u betua në sallën e Kuvendit mes flakadanëve të ndezur nga opozita. Pas betimit, ai u largua nga salla, duke i dhuruar një puthje deputetëve opozitarë, gjest që shtoi më tej reagimet.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, mori masë disiplinore duke përjashtuar nga seanca deputetët Klevis Balliu dhe Flamur Noka. Megjithatë, situata mbeti e tensionuar dhe qetësia nuk u rikthye. Në këto kushte, mazhoranca socialiste vijoi me votimin e projektligjeve të parashikuara në rendin e ditës, ndërsa deputetët demokratë vazhduan thirrjet kundër qeverisë, kryeministrit Edi Rama dhe zv/kryeministres Belinda Balluku.
Gjatë përplasjes verbale në sallë, kreu i PD, Sali Berisha lëshoi akuza të forta, duke deklaruar se opozita po lufton për zbatimin e ligjit dhe Kushtetutës:
“Ne duam zbatimin e ligjit. Kushtetuta dhe ligji janë feja jonë politike. Sillni këtu Lubi Ballukun. Mos u bëni avokatë të terroristit. Ergys Agasi është terrorist, ka marrë dy qytetarë peng për llogari të Edi Ramës dhe familjes së tij. Po luftojmë për ligjin këtu, po luftojmë për Kushtetutën. Ndaj dhe silleni Lubinë këtu që të dëshmoni se jeni të vendosur t’i nënshtroheni ligjit. Por jo vidh e ik. Kjo nuk mund të ndodhë më. Sillni terroristin Ergys Agasi. Doni parlament, sillni të dy para ligjit. Po luftojmë për ligjin këtu.
Ne po luftojmë për ligjin këtu. Nuk ka parlament. Nuk ka ‘vidh e ik’ këtu. Ne jemi të vendosur të mbrojmë ligjin dhe Kushtetutën. Sillini këtu para ligjit dhe parlamentit, t’i shohin qytetarët. Këshilltari i Palloshit të gjatë ka marrë dy persona peng. Shkoni dhe lexoni dosjen”, tha Berisha. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












