Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, përmes një videoje të publikuar sot në rrjetet e saj sociale, ka reaguar ndaj buxhetit dhe paketës së re fiskale që Parlamenti pritet të miratojë nesër për vitin 2026.
Në deklarimin e saj publik, Tabaku theksoi se buxheti i propozuar nga qeveria nuk i jep prioritet qytetarëve dhe se rritja e barrës fiskale prej 500 milion eurosh bie drejtpërdrejt mbi familjet dhe sipërmarrjet e ndershme.
“Ky buxhet nuk është në shërbim të shumicës. Nuk është për qytetarët, nuk është për Shqipërinë reale,” u shpreh Tabaku në video.
Ajo prezantoi gjithashtu tre propozimet konkrete të saj, të cilat synojnë të ofrojnë lehtësira për punonjësit, prodhimin vendas dhe të parandalojnë abuzimet me “Paqen Fiskale”.
1. Lehtësim i barrës për pagat e ulëta
Tabaku kërkon që Tatimi mbi të ardjurat Personale (TAP) të mos llogaritet nga paga 30 mijë lekë, por nga 50 mijë lekë, duke ulur ngarkesën mbi punonjësit.
Sipas saj, rritja e pagës minimale nuk përbën rritje reale pagash nëse rriten edhe sigurimet dhe taksat.
2. Mbështetje për birrën artizanale shqiptare
Nisma e saj propozon reduktimin e akcizës dhe TVSH-së për prodhuesit vendas të birrës, për të nxitur industrinë artizanale dhe ekonominë lokale.
3. Përjashtimi i abuzuesve nga Amnistia Fiskale
Tabaku paralajmëron se “Paqja Fiskale” është në fakt një Amnisti Fiskale e maskuar, që rrezikon të favorizojë subjekte me interesa të errëta.
Amendamenti i saj kërkon që nga kjo skemë të mos përfitojnë:
• kompanitë monopoliste,
• subjektet offshore,
• përfitues të PPP-ve dhe tenderave publikë,
• kompani të hetuara nga SPAK,
• të akuzuar për evazion fiskal.
“Qeveria ka krijuar një rrëmujë të madhe me këtë nismë. Të paktën hajde të shmangim abuzimet më flagrante,” deklaroi ajo.
Tabaku theksoi se këto propozime nuk ndryshojnë tërësisht kursin ekonomik të qeverisë, por shpreson që të japin një zë real shqetësimeve të qytetarëve.
“Unë jam e angazhuar çdo ditë të çoj zërin e qytetarëve në Parlament. Kjo është detyra ime,” përfundoi ajo.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












