Kryeministri Edi Rama ka publikuar një deklaratë të gjatë në Facebook, ku sqaroi arsyet e ankimimit të vendimit për pezullimin e ministres në Gjykatën Kushtetuese, duke theksuar se bëhet fjalë për një çështje parimore dhe jo personale.
“E kam ankimuar unë, natyrisht si kryeministër, jo si Edi Rama dhe natyrisht jo për një individ, një ministre që në këtë rast është edhe zëvendëskryeministër, po për parimin; për parimin e moscënimit të balancës mes pushteteve; për parimin e mosndërhyrjes së një pushteti tjetër të pavarur në përbërjen e pushtetit të pavarur ekzekutiv; për parimin e mosmarrjes së kompetencave të kryeministrit dhe të presidentit nga një prokuror dhe nga një gjykatës”, deklaroi Rama.
Ai theksoi se çështja ka të bëjë me një konflikt institucional.
“Kjo është një betejë institucionale gjyqësore për të mos lejuar atë që, nga Komisioni i Venecias, konsiderohet shkelje e palejueshme e kufirit ndarës mes pushteteve”, tha Kryeninistri.
Sipas tij, nëse pezullimi i një ministri do të legjitimohej, kjo do të krijonte precedent të rrezikshëm.
“Nëse pezullimi i një ministri nga një prokuror dhe një gjykatës sot do të legjitimohej si një e drejtë e ligjshme e drejtësisë, atëherë shtrirja e krahut të gjyqësorit përtej kufirit ndarës në ekzekutivin dhe në vetë jetën politike shqiptare do të krijonte një precedent unikal të rrezikshëm dhe kërcënues”, këmbëngul Rama.
Rama theksoi se një rast i tillë nuk ekziston në asnjë vend tjetër.
“Nuk kanë se si dhe ku e nxjerrin, mor edhe një të vetëm, sepse pezullimi i një ministri me iniciativën e një prokurori dhe vendim të një gjykatësi është një rrëmbim i kompetencës së kryeministrit”, tha ai.
Sipas tij, pezullimi praktikisht barazohet me shkarkim.
“‘De jure’ quhet pezullim, por ‘de facto’ në rastin e ministrit është një shkarkim, të cilin kryeministri duhet thjesht ta formalizojë, meqë e mendoi prokurori dhe e vendosi gjykatësi”, shpjegoi Rama.
Rama shtoi se nuk ka aspak të bëjë me individë apo politikë ditore.
“Këtu s’është fjala as për Belinda Ballukun, as për mua e për qeverinë sot, po është fjala për mbrojtjen sot e përgjithmonë të kufijve kushtetues mes pushteteve.”
Rama e mbylli deklaratën e tij me një thirrje drejtuar Kushtetueses.
“Më mbetet vetëm të përsëris urimin tim, që Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë t’i akursejë Republikës së Shqipërisë shpikjen e një risie totalisht të pamirëseardhur në historinë e drejtësisë demokratike europiane”, tha Rama. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












