SALI BERISHA/ Ligji imponon një rend të ri ideologjik të ekstremit të majtë post-marksist

Shares

Nga Sali Berisha

Pseudo-mazhoranca kërkon të mbyllë parlamentin pa debat, për projektligjin për barazinë gjinore, të cilin e paraqet në Kuvend si një detyrim ndaj BE.

Me këtë rast dua të deklaroj sa vijon:
PD në pushtet dhe në opozitë ka qenë dhe mbetet totalisht e vendosur të luftojë çdo formë diskriminimi, e aq më tepër diskriminimi midis burrit dhe gruas, nënës dhe babait, motrës dhe vëllait, por dhe diskriminimin për shkaqe të tjera, ndër të cilat për orientimin seksual.
Në këtë kontekst, PD ka miratuar një nga ligjet më të mira të kohës, i cili i jep përgjigjen më të mirë çdo forme diskriminimi në këtë vend.
Por në rast se i referohemi vetë direktivave të BE, të përmendura në relacionin e këtij ligji, sipas ekspertëve të të drejtës evropiane, del e qartë se asnjëra prej këtyre direktivave, nuk përmend identitete gjinore apo shprehje gjinore, apo përkatësi të shumëfishta.
Absolutisht asnjëra.
Përkundrazi këto direktiva të BE, sipas ekspertëve që i kanë studiuar ato, e kanë që në titull konceptin binar dhe natyror të grave dhe burrave.
E drejta e BE në këtë fushë është e ndërtuar mbi një parim të vetëm dhe të pandryshueshëm, barazinë midis grave dhe burrave.
Ky është standardi evropian i vetëm i pranuar edhe juridikisht nga të gjitha shtetet anëtare.
Ekspertët e të drejtës europiane që kanë studiuar këto direktiva, kanë gjetur se direktivat e vërteta që formojnë bërthamën e të drejtës evropiane për barazinë gjinore janë të gjitha të ndërtuara mbi parimin e barazisë midis burrave dhe grave, pa asnjë referencë mbi identitetin jobinar.
Në këtë kuadër, Gjykata e Drejtësisë së BE është e qartë, në çështjen C423/04 Richards theksoi se përcaktimi i kushteve për njohjen e ndryshimit të gjinisë është kompetencë e shteteve anëtare dhe jo një detyrim që buron nga e drejta e bashkimit.
Me fjalë të tjera, BE nuk imponon uniformitet në çështjen e identitetit gjinor dhe çdo shtet ruan të drejtën e vet sovrane për të përcaktuar se çfarë nënkupton gjinia në rendin e tij juridik.
Le t’u referohemi fakteve. 21 nga 27 shtete anëtare të BE njohin vetëm identitetin binar gjinor, mashkull dhe femër si kategori gjinore.
Vetëm një pakicë e kufizuar shtetesh kanë futur një kategori të tretë ose neutrale.
Por teksti i modelit shqiptar është shumë më ekstrem ideologjikisht se edhe legjislacionet e këtyre pak vendeve që njohin gjininë neutrale.
Ky realitet faktik dhe juridik tregon se standardi i detyruar evropian për njohjen e identiteteve të shumëfishta gjinore, nuk ekziston dhe se e drejta e BE dhe ligjet e vendeve anëtare të BE janë binare. Ato nuk i njohin shtetit asnjë të drejtë të ndërhyjë në biologji, antropologji as edhe në ndërgjegjen e njeriut.
Ky projektligj nuk është përafrim me BE, por largim prej tij.
Shqipëria miraton një kornizë ligjore që asnjë vend anëtar nuk e ka, duke futur në sistemin e vet një element ideologjik që nuk gjen as precedent evropian dhe do përbënte një eksperiment të madh tragjik social dhe juridik që rikthen në një format të ri Kushtetutën famëzezë të vitit 1976, e cila ndaloi lirinë e besimit dhe ndërgjegjes dhe shpalli si të vetmen ideologji të pranueshme atë ateiste-materialiste duke dënuar çdo gjë ideologji që nuk përputhej me të.
Dëshmi e saj janë sot për herë të parë në historinë e pluralizmit shqiptar, protestat para parlamentit të komuniteteve të mëdha fetare, të cilat kanë kundërshtuar me dokumente dhe në fund përfunduan në protesta, këtë ligji, i cili shthur gjininë në Shqipëri.
Në fund duhet kujtuar ajo që ka theksuar vetë Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, çështja ‘Goduin’ kundër Mbretërisë së Bashkuar 2002: Liritë dhe barazia duhet të interpretohen në dritën e nevojës për ruajtjen e rendit moral, dhe të drejtës natyrore në një shoqëri demokratike.
Po kështu neni 9 i Konventës Europianë për të Drejtat e Njeriut, e njeh këtë si një të drejtë themelore, duke theksuar se, çdo kush ka të drejtë të ketë dhe të shprehë, besimin e tij fetar, individualisht ose kolektivisht, në publik apo privatisht.
Mirëpo projektligji vë në rrezik këtu, këtë shtyllë kryesore të lirisë së besimit. Ai krijon në situatë kërcënuese për ata që lexojnë Kuranin dhe interpretojnë familjen sipas vargjeve të tij.
Por ata që lexojnë Ungjillin dhe flasin për familjen, sipas mësimeve të tij.
Por ata që lexojnë Talmudin dhe flasin sipas përcaktimeve të tij, dhe për çdo teolog që flet dhe mbron parimin e krijimit mashkull-femër.
Për këto qëndrime mund të përballen me padi për diskriminim gjinor sipas këtij ligji, vetëm sepse kanë shprehur doktrinën e besimit të tyre.
Ky shqetësim i tyre u shpreh me disa dokumente, me disa takime me parlamentar, dhe së fundmi pasi u hodhën poshtë kërkesat e tyre, përfundoi me një protestë për herë të parë të të gjitha komuniteteve fetare kundër këtij ligji.
I garantoj se Shqipëria, vendi i tolerancës fetare vendi i besimeve, jo tre, por edhe më shumë besimeve, që jetojnë në mirëkuptim të plotë, nuk do miratojë ndonjëherë ligj që të detyrojë komunitetet fetare të dalin në protesta para parlamentit, kundër ndonjë ligji.
Së këtejmi mund të konkludojmë se projektligji i paraqitur në Kuvend nuk ka si qëllim mbrojtjen e grave, burrave apo individëve nga diskriminimi, por hap rrugën për imponimin e një ideologjie post-marksiste të ekstremit të majtë sorosiane, më e rrezikshmja e kohës.
Mohon realitetin biologjik, shthur kuptimin e gjinisë, krijon bazën ligjore për censurë, kufizon liritë themelore të njeriut, lirinë e mendimit dhe shprehjes së tij, lirinë e besimit dhe shprehjes së tij.
Dhe së fundmi, ky ligj nuk ka për qëllim mbrojtjen e barazisë midis burrit dhe gruas dhe të orientimit seksual të ndryshëm të individit nga diskriminimi, por ka si qëllim përmbysjen e rendit juridik demokratik ekzistues që bazohet në vlerat dhe të vërtetat hyjnore, biologjike, tradicionale, mijëravjeçare, në Kushtetutën, kodet, ligjet e vendit, konventat ndërkombëtare dhe i zëvendëson ato me rendin e ri ideologjik të ekstremit të majtë post-marksist bazuar në ideologjinë çnjerëzore të shpërbërjes gjinore, mohimit të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, vendosjes së censurës me ligj.
Projektligji për barazinë gjinore bie ndesh me frymën dhe germën e Kushtetutës, rendin juridik në Kushtetutë.
Ligji asgjëson nenet themelore të Kushtetutës si nenet 18, 22, 24, 54 që garantojnë barazinë para ligjit, lirinë e mendimit dhe shprehjes së tij, lirinë e besimit fetar, të drejtën e prindërve për t’u siguruar fëmijëve të tyre edukim moral dhe fetar në përputhje me bindjet e tyre.
Kjo sepse neni 18 i Kushtetutës garanton barazinë para ligjit pa dallim gjinie, duke iu referuar dy gjinive biologjike, mashkull dhe femër si themel i rendit natyror dhe juridik të shtetit.
Projektligji me koncepte post-marksiste të identitetit të shumëfishtë gjinor dhe të përkatësisë së ndërthurur, tejkalon kuadrin kushtetues dhe de facto rishkruan nenin 18.
Së dyti, neni 22 i Kushtetutës që mbron lirinë e shprehjes dhe të shtypit bie ndesh me dispozitat e projektligjit që ndëshkon dhe kriminalizon fjalën ndryshe.
Sipas këtij ligji, çdo qëndrim nuk përputhet me doktrinën post-marksiste të identitetit gjinor, kthehet në një formë censure me ligj që ndalon debatin, kërkimin shkencor, kriminalizon mendimin ndryshe, por edhe vetë ndërgjegjen. Asgjëson demokracinë.
Së treti, neni 24 i Kushtetutës garanton lirinë e ndërgjegjes, mendimit dhe besimit fetar dhe është në rrezik drejtpërdrejt në këtë projekt.
Në qoftë se një hoxhë, një prift, një pastor do të lexojë sipas mësimeve të Kuranit, Biblës, Talmudit parimet e familjes, duke iu referuar Evës dhe Adamit, burrit dhe gruas, ai rrezikon të marrë gjoba dhe të ndëshkohet gjer edhe me burg.
Ky skenar absurd do të thotë se shteti në vend që të garantojë pluralizmin fetar, pluralizmin moral, pluralizmin e mendimit dhe të ndërgjegjes, përpiqet të imponojë një fe të re që nuk pranon as kundërshti, as besim, as debat, por vetëm nënshtrim pa pasur mundësi ta kundërshtosh.
Në të njëjtën linjë, neni 54 i Kushtetutës u njeh prindërve të drejtën për t’u siguruar fëmijëve të tyre edukim moral dhe fetar në përputhje me bindjet e prindërve.
Futja e edukimit gjinor me përmbajtje që promovon koncepte të shumëfishta identitare, po vetëm pa pëlqimin e prindërve, por edhe në kundërshtim me vlerat e tyre, përbën kërcënim të drejtpërdrejtë jo vetëm të autoritetit prindëror dhe familjes, por përbën një shtetëzim të privacisë dhe të drejtave themelore.
Shteti në këtë mënyrë shtetëzon ndërgjegjen, shtetëzon fëmijët, shtetëzon formimin e tyre.
Në thelb ky projektligj rrafshon vlerat e mëdha mbi të cilat bazohet familja dhe shoqëria, me një impononim ideologjik i cili ka synim një rend të ri post-familje, bazuar në identitete të shumëfishta.
Projektligji minon apo hedh poshtë kodet ekzistuese të republikës, mbi të cilat bazohet rendi juridik.
Kodi i familjes është një nga ligjet më të ndjeshme, është një nga ligjet më themelore për familjen dhe kundër diskriminimit të saj.
Ky kod në nenin 7 përcakton qartësisht se martesa dhe familja bazohen në bashkimin midis burrit dhe gruas duke njohur si shtyllë juridike morale realitetin biologjik mbi të cilën ndërtohet jeta e shoqërisë.
Çdo përpjekje për të zëvendësuar termin gjini me identitet të shumëfishtë gjinor përbën një ndërhyrje të thellë ideologjike në këtë ekuilibër sepse përpiqet të ndryshojë vetë përkufizimin.
Ndryshime të thella pëson kodi i punës, ligjet për sportin, ligjet për shëndetësinë dhe një seri ligjesh të tjera.
Faktikisht ky ligj, ato që merr përsipër, barazinë gjinore, jo që nuk e garanton, por krijon një mori problemesh në emër të një rendi të ri post-komunist, të një ideologjie post-komuniste.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...