Dodik
Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të heqin nga lista e sanksioneve ish-liderin e serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, dhe anëtaren e Presidencës së Bosnjës e Hercegovinës, Zhelka Cvijanoviq, ka njoftuar të mërkurën Departamenti amerikan i Thesarit.
Përveç tyre, nga lista e zezë janë hequr edhe anëtarë të familjes së Dodikut, kompanitë e tyre, si dhe disa bashkëpunëtorë të afërt.
Dodik, që aktualisht udhëheq Aleancën e Social Demokratëve të Pavarur (SNSD), ishte sanksionuar dy herë më parë nga SHBA për shkelje të Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe, dokument që i dha fund luftës në Bosnjë në vitin 1995.
Zyra amerikane për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) nuk dha detaje mbi arsyet që çuan në heqjen e këtyre sanksioneve.
Sipas njoftimit, në total 48 individë dhe subjekte juridike, të cilët më parë ishin përfshirë në Programin e Sanksioneve për Ballkanin Perëndimor, janë larguar nga lista.
Ky vendim vjen pak javë pasi OFAC kishte hequr nga lista e sanksioneve katër zyrtarë të Republikës Sërpska – Danijela Dragiçeviq, Jelena Pajiq Bastinac, Dijana Millankoviq dhe Goran Rakoviq – të cilët ishin ndëshkuar për organizimin e festimeve të ditës antikushtetuese të 9 janarit.
Në dhjetor të vitit të kaluar, autoritetet e Republikës Sërpska kishin nënshkruar një marrëveshje me firmën ligjore amerikane “Zell & Associates International Advocates”, për të lobuar në Uashington që të hiqeshin sanksionet ndaj Dodikut dhe Cvijanoviqit.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












