Sanae Takaichi ka shënuar një moment historik për Japoninë, duke u zgjedhur si gruaja e parë që merr postin e kryeministres së vendit. Ligjvënësit në Dhomën e Ulët votuan që ajo të drejtojë qeverinë, duke i dhënë 237 vota – më shumë se shumica e thjeshtë e nevojshme për t’u zgjedhur.
Konservatorja 64-vjeçare, e njohur gjerësisht si “Zonja e Hekurt” e Japonisë për qëndrimet e saj të forta dhe konservatore, është një admirues e deklaruar e ish-kryeministres britanike Margaret Thatcher.
Kjo ishte përpjekja e tretë e Takaichi për të udhëhequr vendin, ndërsa ajo vjen në krye të një partie të trazuar nga skandalet dhe ndërrimet e shpeshta të drejtimit. Ajo është kryeministrja e katërt që del nga radhët e Partisë Liberale Demokratike (LDP) brenda vetëm pesë vjetëve.
Partia në pushtet ka kaluar një periudhë të turbullt politike:
- Dhjetor 2023: Katër ministra të kabinetit të Fumio Kishida dhanë dorëheqjen pas një skandali për mbledhje fondesh.
- Gusht 2024: Kishida njoftoi se nuk do të kandidonte për drejtimin e partisë.
- Shtator–Tetor 2024: Shigeru Ishiba mori drejtimin e LDP-së, u bë kryeministër dhe shpalli zgjedhje të parakohshme.
- 27 tetor 2024: LDP dhe aleati i saj Komeito humbën shumicën në Dhomën e Ulët për herë të parë që nga viti 2009.
- 20 korrik 2025: Koalicioni LDP–Komeito humbi shumicën edhe në Dhomën e Sipërme.
- 7 shtator 2025: Kryeministri Ishiba dha dorëheqjen.
- 3 tetor 2025: Takaichi u zgjodh udhëheqëse e re e LDP-së.
- 10 tetor 2025: Komeito u largua nga koalicioni për shkak të mosmarrëveshjeve me të.
- 20 tetor 2025: Takaichi formoi një koalicion të ri me Partinë e Inovacionit të Japonisë, një forcë opozitare e djathtë.
Fitorja e saj shënon një moment kthese në politikën japoneze, si për nga simbolika historike, ashtu edhe për ndikimin që pritet të ketë në kursin konservator të qeverisjes. r.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












