Gjykata Popullore e Mesme e Changchun-it në provincën Jilin ka shpallur fajtor për korrupsion ish-ministrin e Bujqësisë së Kinës, Tang Renjian, duke i dhënë dënimin kapital me vdekje, por me pezullim për një periudhë dyvjeçare.
Sipas vendimit, Tang akuzohej se kishte përfituar ryshfete që kapnin shumën mbi 268 milionë juanë (rreth 37 milionë dollarë amerikanë) nga kompani dhe individë të ndryshëm, gjatë kohës që mbante poste të larta publike nga viti 2007 deri në vitin 2024. Hetimet zbuluan se ai kishte përdorur funksionin e tij për të favorizuar kontrata, projekte dhe emërime zyrtare në shkëmbim të shumave të mëdha parash.
Dënimi me vdekje me kusht është një formë e veçantë e ligjit penal kinez: nëse i pandehuri nuk shkel ligjin gjatë dy viteve të pezullimit, dënimi zakonisht reduktohet në burgim të përjetshëm ose, në raste të tjera, në një dënim të gjatë me burg.
Tang, i cili u emërua ministër i Bujqësisë dhe Çështjeve Rurale në vitin 2020 dhe shërbeu deri në fillim të vitit 2024, u përjashtua nga Partia Komuniste Kineze në nëntor të vitit të kaluar, pak para se të bëheshin publike hetimet ndaj tij. Përjashtimi nga partia është një hap i zakonshëm në proceset disiplinore ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë në Kinë.
Ky vendim konsiderohet pjesë e vazhdimit të fushatës së fuqishme anti-korrupsion të nisur nga Presidenti Xi Jinping që prej vitit 2012, e cila ka çuar para drejtësisë qindra ministra, drejtues partish dhe figura të rëndësishme në administratë dhe kompani shtetërore. Procesi ndaj Tang shihet si një mesazh i qartë se autoritetet nuk do të tolerojnë abuzimet as në nivelet më të larta të pushtetit. r.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












