Ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare regjisori i shquar i kinematografisë shqiptare, Dhimitër Anagnosti.
Juna Anagnosti, e bija e regjisorit njoftoi përmes një postimi në rrjetet sociale ku shkruan Anagnosti iku pas një lëngimi të gjatë.
“Lamtumirë Dhimitër Anagnosti Ndërron jetë regjisori i madh Dhimitër Anagnosti, regjisori i jetës sonë! Pas një lëngimi të gjatë ju binde ligjit të jetës! Lamtumirë babush!”, shkruan e bija.
Anagnosti është regjisor i filmave që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën kolektive si “Lulëkuqet mbi mure”, “Përrallë nga e kaluara”, “Gjoleka, djali i Abazit”, dhe dhjetëra të tjerë.
Ndër të tjera ai ka lënë gjurmë edhe si skenarist dhe autor librash.
Gjatë karrierës së tij të gjatë, ai u vlerësua me tituj të lartë, mes tyre “Nderi i Kombit”, ndërsa ka shërbyer edhe si ministër i Kulturës në vitet ’90.
Në ngushëllimin e tij për Anagnostin, kreu i PD, Sali Berisha thotë si ai ishte kolos i kinemasë.
“Duke shprehur nderimin dhe mirënjohjen time më të thellë për kontributin, veprën e tij të pavdekshme, bashkëpunimin që kemi pasur, shpreh gjithashtu familjes së tij të nderuar, Rozës, fëmijve, miqve, të afërmve ngushëllimet më të ndjera të miat dhe të PD, dhe lutem së bashku me ta që shpirti i madh i Dhimitrit të tyre të dashur të gjejë paqen e merituar”, theksoi Berisha.
Edhe Kryeministri Rama ka postuar në nderim të veprës së Anagnostit.
”Babai i kinemasë shqiptare, autori i shumë skenarëve që shenjuan rrugën e kinematografisë sonë të re në një kohë tejet të vështirë për ëndrrat krijuese, regjisori i plot filmave të arrirë dhe i filmit kult “Lulëkuqe mbi mure” që ka mbetur sot e gjithë ditën si kryetitulli i ekranit të historisë së filmit shqiptar, mjeshtri i shumërespektuar nga i madh e i vogël dhe vunjotësi kryeneç që mezi e priste verën për t’u arratisur nga qyteti e shkuar poshtë, tek shtëpia e fëmijërisë në Vlorë, e më vonë tek kasollja e tij buzë detit në Jalë, Barba Taqo siç e njoha unë kur isha fare i vogël e ai ende shumë i ri apo Dhimitër Anagnosti, siç e njohin të gjithë dashamirët e filmit dhe tërë ata që e deshën a jo, ndërroi jetë pasi jetoi gjithnjë me kokën lart.
Lamtumirë Barba Taqo, u prehsh në paqe Grand Master”, shkruan Rama. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












