Gazetari Beqir Sina ka sjellë sot në përvjetorin e ekzekutimit të poetit Havzi Nela foto nga protesta e antikomunistëve shqiptarë në Nju Jork ku denoncohej vrasja me litar e poetit Havzi Nela.

Nga Beqir Sina, New York
Varja në litar e poetit disident Havzi Nela në Kukës më 10 gusht 1988 u denoncua fuqishëm nga emigrantët shqiptarë në Shtetet e Bashkuara gjatë protestave para Misionit të Përhershëm të Shqipërisë në Nju Jork, me rastin e vizitës së Ramiz Alisë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 28 shtator 1990.
Një pankartë e fuqishme, vepër e piktorit antikomunist dhe ish-të arratisurit nga Tropoja, Isa Nuredin Gjoçaj, shfaqte varjen e Nelës dhe simbolizonte krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasuesit të tij, Ramiz Alisë.
Pankarta, e titulluar “Regjimi Hipokrit Stalinist Shqiptar 1944–1990”, paraqiste Ramiz Alinë duke ngritur flamurin e kuq komunist me yll, ndërsa në anën tjetër shfaqeshin kafkat e të pushkatuarve dhe një polic simbolik i diktaturës që rrihte një të burgosur politik të lidhur me zinxhirë, me gojë të mbyllur dhe sy të nxjerrë. Ndërsa në qendër, një vinç i lartë tregonte Havzi Nelën të varur në litar, me një hartë të Shqipërisë Etnike që rrezatonte nga Kosova dhe viset shqiptare të ish-Jugosllavisë.
Shkrimi në pankartë deklaronte:
“Havzi Nela, i burgosur politik, u var në Kukës, Shqipëri, në 10 gusht 1988 pas 16 vitesh burgim.”
Protestuesit, ishin kryesisht të arratisur, patriotë dhe intelektual nacionalistë shqiptarë, që luftuan për 46 vjet, deri kur u rrëzua regjimi komunist në mërgim për liritë dhe të drejtat e shqiptarëve në trojet e tyre stërgjyshore, përfshirë Kosovën, Luginën e Preshevës, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Çamërinë.
Këto përpjekje, të dokumentuara me fotografi dhe shkrime, ruhen sot si dëshmi historike të luftës së tyre të paepur kundër komunizmit dhe për demokratizimin e Shqipërisë, pavarësisht persekutimit të familjeve të tyre nga Sigurimi i Shtetit dhe UDB-ja jugosllave.
Fotografitë e këtyre demostratave, përfshirë pankartën e Gjoçajt, u përdorën gjerësisht në të gjitha demonstrata antikomuniste në Nju Jork dhe Uashington, përfshirë ato para Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit Amerikan gjatë viteve 1989–1990.
Këto imazhe, të ruajtura nga i ndjeri Musli Mulosmani, i cili vdiq më 5 qershor 2017 në Nju Jork, mbartin mesazhin se “një fotografi flet më shumë se një mijë fjalë”. Mulosmani, ka qenë vet një aktivist i njohur, i cili i dhuroi këto fotografi si dëshmi të përpjekjeve të emigrantëve shqiptarë për të sensibilizuar OKB-në dhe Uashingtonin mbi krimet e regjimit të Enver Hoxhës dhe shtypjen e shqiptarëve në Kosovë dhe viset e tjera.
Në shënimet e tij, Mulosmani theksonte se Isa Gjoçaj, piktori i pankartës, vuajti 18 vjet burg nën regjimin komunist për qëndrimin e tij antikomunist dhe përkatësinë në një familje të persekutuar nga Malësia e Gjakovës.
“Ai nuk ishte nga ata që morën dekorata si ‘Mjeshtër i Madh’ apo ‘Artist i Popullit’ nga regjimi,” shkruante Mulosmani, duke e cilësuar Gjoçajn si një patriot të vërtetë, të harruar nga historia e sotme shqiptare. “Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe Malësinë e Gjakovës,” përfundonte ai.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/
loading...
Loading...












