Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka njoftuar shkarkimin nga detyra të Drejtorit të Policisë Vendore të Shkodrës, Fatmir Lleshaj, si dhe të Shefit të Komisariatit të Shkodrës. Masa vjen pas situatës së krijuar në Theth, ku janë konstatuar ndërtimet masive dhe pa leje në qendër të zonës së mbrojtur.
Në një deklaratë për mediat, Proda tha se ka urdhëruar nisjen e një hetimi disiplinor nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, duke pezulluar menjëherë shefin e Stacionit të Policisë në Theth. Ndaj tij ka nisur një procedurë disiplinore për shkelje të rëndë, pasi – sipas Prodës – ka dështuar të ushtrojë kontroll mbi territorin e mbuluar dhe nuk ka justifikuar mosveprimin për ndërtimet e paligjshme.
“Pavarësisht referimit të çështjes nga Policia në Prokurorinë e Shkodrës, ku për çudi u vendos mosfillimi i procedimit, kjo nuk ia heq përgjegjësinë Policisë së Qarkut për atë që ndodhi në Theth”, theksoi Proda.
Ai shtoi se procedura disiplinore është nisur edhe ndaj inspektorit të zonës dhe specialistit të krimeve, duke theksuar se askush që nuk kryen detyrën nuk do të tolerohet më në radhët e Policisë së Shtetit.
Sipas Prodas, përgjegjësia nuk mund të mbetet vetëm mbi disa punonjës lokalë, por i përket gjithë zinxhirit komandues vendor. “Nëse një shef komisariati nuk di çfarë ndodh në territorin e tij, qoftë edhe një karrige e një lokali, nuk ka arsye të qëndrojë në atë detyrë,” deklaroi ai.
Në vend të Lleshajt, në krye të Policisë së Shkodrës është emëruar menjëherë Gentjan Berberi.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/











